Kuvajti ekzekuton pesë të burgosur, përfshirë tre të dënuar për vrasje
Kuvajti tha të enjten se ka ekzekutuar pesë të burgosur, përfshirë një të dënuar për bombardimin e një xhamie shiite më 2015, ku ishin vrarë 27 persona dhe përgjegjësinë për sulmin e kishte marrë ISIS-i.
Në një deklaratë të Prokurorisë Publike thuhet se këta të burgosur u ekzekutuan në Burgun Qendror. Prokurorët thanë se në mesin e të ekzekutuarve ishin sulmuesi i xhamisë, tre persona të dënuar për vrasje dhe një i dënuar për tregti droge, raporton agjencia “Associated Press”.
Njëri të vrasësit e dënuar ishte egjiptian, një tjetër nga Kuvajti dhe tregtari i dënuar i drogës ishte nga Sri-Lanka. Në deklaratë nuk u treguan shtetësia e sulmuesit të xhamisë dhe shtetësia e vrasësit tjetër të dënuar, duke thënë vetëm që ata ndodheshin në Kuvajt në mënyrë të paligjshme.
Bombardimi më 2015 kishte ndodhur gjatë lutjeve të së premtes në njërën prej xhamive më të vjetra shiite të Kuvajtit. ISIS-i, grup që atëherë kontrollonte territor të gjerë në Siri e Irak, e kishte marrë përgjegjësinë për sulmin që ishte kryer nga një sulmues vetëvrasës.
Ekzekutimi i të burgosurve është relativisht i rrallë në Kuvajt. Megjithatë, shtatë të burgosur u ekzekutuan në nëntorin e vitit të kaluar, ndërsa ekzekutimi i fundit masiv para atij rasti ishte në vitin 2017, kur gjithashtu ishin ekzekutuar shtatë të burgosur, përfshirë një anëtar të familjes mbretërore në pushtet.
Kuvajti dhe shtetet e tjera të Gjirit Persik njihen për ekzekutimin e të dënuarve për vrasje dhe për krimet rreth drogës. Sipas Organizatës Saudite Evropiane për të Drejtat e Njeriut, 61 persona janë ekzekutuar në Arabi Saudite në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ndërsa 196 të tjerë vitin e kaluar, përfshirë 81 për një ditë.
