Kush është Naim Qassem, kreu i ri i Hezbollahut? - NACIONALE

Kush është Naim Qassem, kreu i ri i Hezbollahut?

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Nënsekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, Sheikh Naim Qassem, i zgjedhur të martën si udhëheqës i grupit të armatosur libanez, ka qenë figurë e lartë në lëvizjen e përkrahur nga Irani për më shumë se 30 vjet.

Duke folur para perdeve në një vend të panjohur më 8 tetor, Qassem-i tha se konflikti mes Hezbollahut dhe Izraelit është luftë për atë se kush qan i pari dhe se Hezbollahu nuk do të qajë i pari. Kapacitetet e grupit ishin të paprekshme pavarësisht nga “goditjet e dhimbshme” nga Izraeli, raporton agjencia “Reuters”.

Megjithatë, ai shtoi se grupi i përkrah përpjekjet e kryetarit të Kuvendit të Libanit, Nabih Berri – aleat i Hezbollahut – për të siguruar një armëpushim, për herë të parë duke mos përmendur një marrëveshje armëpushimi në Gaza si parakusht për ndërprerjen e zjarrit të Hezbollahut ndaj Izraelit.

Adresimi i tij 30-minutësh televiziv u bë vetëm disa ditë pasi figura e lartë e Hezbollahut, Hashem Safieddine, mendohej se ishte vënë në shënjestër të një sulmi izraelit dhe 11 ditë pas vrasjes së sekretarit të përgjithshëm të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

Vrasja e Safieddine-s u konfirmua nga Hezbollahu më 23 tetor.

Qassem ishte emëruar nënsekretar më 1991 nga sekretari i përgjithshëm i atëhershëm, Abbas al-Musawi, i cili ishte vrarë nga një sulm izraelit me helikopter një vit më pas.

Qassem-i mbeti në pozitën e tij, kur Nasrallahu u bë udhëheqës, dhe për një kohë të gjatë ka qenë ndër figurat udhëheqëse që kanë folur në emër të grupit, duke dhënë intervista për media të huaja.

I lindur më 1954 në Bejrut, në një familje me prejardhje nga jugu i Libanit, aktivizmi politik i tij nisi në lëvizjen shiite libaneze, “Amal”.

Ai u largua nga ky grup më 1979 pas Revolucionit Islamik në Iran, që u dha formë mendimeve të shumë aktivistëve të rinj shiitë libanezë.

Qassem-i mori pjesë në takime që çuan në themelimin e Hezbollahut, i formuar me përkrahjen e Rojave Revolucionare të Iranit si kundërpërgjigje ndaj pushtimit izraelit të Libanit më 1982.

Ai ka qenë koordinator i përgjithshëm i fushatave zgjedhore parlamentare të Hezbollahut që nga kontestimi i parë i tyre nga grupi më 1992./Nacionale

Lajme të ngjashme