Kush është Dick Schoof, kryeministri i ri i Holandës? - NACIONALE

Kush është Dick Schoof, kryeministri i ri i Holandës?

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Ish-shefi i inteligjencës holandeze, Dick Schoof, të martën u betua si kryeministër i Holandës, në udhëheqje të një koalicioni qeveritar, duke premtuar se do ta zbatojë politikën “më të rreptë ndonjëherë” rreth azilkërkuesve dhe emigrantëve.

Politikani i pavarur 67-vjeçar do ta zërë vendin e Mark Rutte-s, i cili do ta marrë detyrën e sekretarin të Përgjithshëm të NATO-s pas 14 vjetëve në pushtet në Hagë, raporton “Deutsche Welle”.

Inaugurimi i Schoof-it vjen shtatë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme që i fitoi partia e së djathtës ekstreme e populistit Geert Wilders.

Tradicionalisht, udhëheqësi i partisë më të madhe do të ishte favorit për t’u bërë kryeministër, por Wilders-i anti-islamist e euroskeptik hoqi dorë nga pozita e lartë për t’i kënaqur partnerët e koalicionit nga Partia e Bujqve, VVD-ja liberale-konservatore dhe NSC-ja, udhëheqësit e të cilave gjithashtu u pajtuan për të mos u bërë kryeministër.

Në vend të tyre, ata e zgjodhën Schoof-in si kompromis.

Kush është Schoof-i?

Ai ka këmbëngulur se dëshiron të jetë “kryeministër për të gjithë qytetarët e Holandës” dhe se nuk do ta lejojë veten që “të mbahet në varëse nga z. Wilders”.

Megjithatë, kryeministri i ri ka premtuar se do ta zbatojë “politikën më të rreptë ndonjëherë për pranim të azilkërkuesve dhe pakon më gjithëpërfshirëse për vënien e kontrollit ndaj imigrimit”.

Ish-anëtari i Partisë së Punës e ka marrë përkrahjen e udhëheqësit majtist opozitar, Frans Timmermans, i cili e ka përshkruar atë si “kandidat i Wilders-it në mënyrë të prerë”.

“Ai do të ketë shumë punë për të bërë që t’i mbajë nën kontroll konfliktet ideologjike e personale, por, duke e marrë parasysh përvojën e tij të madhe në krye të agjencive të ndryshme qeveritare, ai do të jetë i pajisur mirë për ta mbrojtur veten” – tha Sarah de Lange, profesoreshë e politikës në Universitetin e Amsterdamit.

“Mbetet të shihet si do të reagojë ai, nëse Wilders-i mundohet që ta vendosë nën presion duke e kritikuar në rrjetin X” – shtoi ajo.

Si shef i inteligjencës, Schoof-i e kishte udhëhequr hetimin holandez për rrëzimin e aeroplanit të kompanisë “Malaysia Airlines” në korrik të vitit 2014 në territorin e Ukrainës që kontrollohej nga separatistët pro-rusë.

Të gjithë 298 persona që ndodheshin në atë aeroplan – përfshirë 196 shtetas holandezë – e humbën jetën, kur aeroplani ishte goditur nga një raketë e prodhimit rus, e tipit BUK, e hedhur nga territori i kontrolluar nga militantët pro-rusë.

Schoof-i jeton me partneren e tij në Zoetermeer. Me ish-bashkëshorten Yolanda Senf ka dy vajza, Yasmin dhe Celine, që i kanë birësuar nga Kina. I pëlqen vrapimi. Këtë vit mori pjesë në maratonën e 18-të për të./Nacionale

Lajme të ngjashme