Kundër ndihmave për Ukrainën: Kush është Mike Johnson, kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve?
Pas një krize kandidatësh, republikani Mike Johnson u zgjodh të mërkurën në mbrëmje kryetar i ri i Dhomës së Përfaqësuesve, dhomë e ulët e Kongresit të ShBA-së. Kush është ai dhe çfarë qëndrimesh ka?
Mike Johsnonm 51 vjeç, është lindur në Shreveport të Louisiana-s dhe është fëmija më i madh nga katër fëmijët e familjes, bir i një zjarrfikësi që kishte pësuar djegie të rënda dhe kishte mbetur me aftësi të kufizuara në krye të detyrës, raporton agjencia “Reuters”.
Para se të zgjidhej anëtar i Kongresit, Johnsoni ishte avokat që merrej kryesisht me çështjet e lirisë fetare, duke e mbrojtur me sukses më 2004 ndalimin e martesave mes personave të gjinisë së njëjtë në Louisiana.
“Unë jam i krishterë, bashkëshort, baba, konservator tërë jetën, jurist i së drejtës kushtetuese dhe pronar i një biznesi të vogël në këtë varg”- kishte thënë ai në vitin 2006.
Johnsoni ishte zgjedhur në Dhomën shtetërore të Përfaqësuesve në Louisiana më 2015 dhe kishte garuar me sukses për Kongres më 2016. Tani i përfaqëson distriktet e katërta të Louisiana-s, ku përfshihet edhe vendlindja e tij.
Konservator social
Johsnoni është konservator që ndoshta më së miri njihet për mbrojtjen e përpjekjeve të ish-presidentit Donald Trump për ta zhbërë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Ai i kundërshton martesat mes personave të gjinisë së njëjtë dhe vitin e kaluar paraqiti një projektligj me të cilin shkollave do t’u ndalohej promovimi ose diskutimi i identitetit gjinor.
Johnsoni i kundërshton edhe të drejtat për abort, duke e quajtur “rast të mrekullueshëm, të gëzuar” vendimin për shfuqizimin e masave mbrojtëse federale për abortin.
Kundër ndihmës për Ukrainën
Johnsoni e kundërshton dërgimin e ndihmave amerikane në Ukrainë për ta ndihmuar këtë shtet kundër agresionit rus. Ai është vlerësuar me “F” (notë negative) nga grupi “Republikanët për Ukrainën”, që harton raporte rreth mbështetjes së ligjvënësve për shtetin e përfshirë nga lufta.
Përvoja në udhëheqësi
Johnsoni ka shërbyer si kryetar i Komitetit Hulumtues Republikan dhe është zgjedhur nënkryetar i konferencës, por nuk ka përvoja të tjera në udhëheqësi – pengesë e mundshme në kohën e fillimit të bisedimeve me Senatin e kontrolluar nga demokratët dhe me Shtëpinë e Bardhë.
Ai gjithashtu ka shfaqur aftësi të kufizuar për grumbullimin e fondeve deri më tani, zakonisht pjesë kyçe e rolit të kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve.
Raportet me Trumpin
Johnsoni është përkrahës i deklaruar i Trumpit, siç është dëshmuar përmes mbështetjes së tij për përpjekjet e Trumpit për ta zhbërë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Në anën tjetër, Trumpi e kishte përkrahur zgjedhjen e Johnsonit si i nominuar.