Kuba goditet nga një tërmet i fuqishëm prej 6,8 shkallësh - NACIONALE

Kuba goditet nga një tërmet i fuqishëm prej 6,8 shkallësh

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një tërmet i fuqishëm ndodhi të dielën në pjesën lindore të Kubës, duke dridhur ndërtesa në qytetin e dytë më të madh në këtë shtet, Santiago de Cuba, si dhe zonën përreth tij.

Sipas Vëzhguesit Gjeologjik të ShBA-së, fuqia e dridhjes ishte 6,8 shkallë të Rihterit dhe ndodhi në bregdetin juglindor, në provincën Granma, afër komunës Bartolome Maso, ku e kishte selinë qendrore gjatë Revolucionit Kuban ish-udhëheqësi Fidel Castro, raporton agjencia “Reuters”.

“Ka pasur rrëshqitje dheu, dëm ndaj shtëpive dhe linjave të rrymës. Ne kemi filluar që t’i vlerësojmë dëmet… gjëja e parë dhe thelbësore është që të shpëtohen jetë” – tha në rrjetin X presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel.

Agjencia e lajmeve “Reuters” bisedoi me disa banorë të zonës, të cilët raportuan se dridhja u ndje më e fortë se kurdoherë më parë në jetën e tyre. Ata thanë se shtëpitë e ndërtesat e tjera u drodhën fort, ndërsa gotat, enët e vazot ranë nga vitrinat.

“Ne kemi ndier tërmete në të kaluarën, por asgjë si ky” – tha përmes telefonit banorja e Santiagos, Griselda Fernandez.

Shumë prej shtëpive dhe ndërtesave të tjera në rajon janë më të vjetra dhe të ndjeshme ndaj dëmit prej tërmeteve. Mediat shtetërore publikuan pamje të kulmeve e fasadave të shtëpive bllok që ishin shembur nga tërmeti. Në shumë fotografi shfaqej dëm strukturor ndaj tavaneve, mureve dhe në infrastrukturën publike.

Lajme të ngjashme