Ku është presidenti kinez? Dalin thashetheme për grusht shteti në Kinë - NACIONALE

Ku është presidenti kinez? Dalin thashetheme për grusht shteti në Kinë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Kina është përshkuar nga thashethemet për një komplot të stilit të Game of Thrones, ndërsa intrigat kanë tronditur Partinë Komuniste.

Një mungesë dhjetë ditore e presidentit kinez Xi Jinping nga sytë e publikut, ka nxitur thashetheme dhe spekulime të shumta përpara një takimi kyç të Partisë Komuniste që do të mbahet muajin e ardhshëm.

Thashethemet thonë se në Kinë ka ndodhur një grusht shteti dhe se presidenti kinez Xi Jinping është arrestuar.

Megjithatë, këto spekulime nuk janë komentuar zyrtarisht nga shteti kinez.

Udhëheqësi 69-vjeçar - i cili ka udhëhequr kombin gjigant për dhjetë vjet - shpesh ka qenë qendra e intrigave rreth shëndetit dhe të ardhmes së tij.

Ndërsa, këtë herë mungesa e Xi-së nxiti spekulime pas burgosjes së katër zyrtarëve të profilit të lartë për korrupsion.

Kurorëzimi i pritshëm i Xi-së në Kongresin e Partisë Komuniste që do të mbahet më 16 tetor - ndoshta duke përdorur titullin e ringjallur të Maos "Udhëheqësi i Popullit”, tani është dëmtuar nga thashethemet e përhapura në vend si një zjarr i egër.

Çfarë i shkaktoi thashethemet?

Xi nuk ishte i pranishëm në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork më 21 shtator - në vend të kësaj ai dërgoi një mesazh të regjistruar paraprakisht. Ndërsa mësohet se ai ishte i ftuar në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth, por në vend të tij shkoi një “përfaqësues special”.

Sipas The Sun, në qendër të spekulimeve është gjenerali Li Qiaoming, oficeri më i lartë në Ushtrinë Çlirimtare Popullore. Është sugjeruar se ai mund të jetë ai që do të zëvendësojë Xi-në, nëse do të kishte një lëvizje për ta rrëzuar atë.

Raportet e pa verifikuara dhe të pakonfirmuara kanë shkuar aq larg sa sugjerojnë për grusht shteti të plotë në Pekin, megjithatë Xi është përfshirë në listën e delegatëve që do të marrin pjesë në kongresin e 16 tetorit, duke vënë në dukje se të gjitha këto në fakt janë vetëm thashetheme.

Duke qenë se klasa sunduese e fshehtë dhe izoluese e Kinës e bën jashtëzakonisht të vështirë verifikimin e çdo informacioni në lidhje me makinacionet e brendshme, ekspertët thonë se kjo gjë çon në “vatër” intrigash.

Aktualisht, Xi është duke u përballur me probleme të brendshme dhe ndërkombëtare për shkak të Covidit.

Lajme të ngjashme