Kryetari i Dumës së Rusisë pretendon se një shtet tjetër qëndron prapa arrestimit të shefit të “Telegramit” në Francë
Vyacheslav Volodyn, kryetar i Dumës Shtetërore të Rusisë dhe aleat i lartë i presidentit Vladimir Putin, tha të martën se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë prapa arrestimit të themeluesit dhe shefit ekzekutiv të platformës “Telegram”, Pavel Durom, nga autoritetet franceze. Ky aplikacion luan rol kyç rreth raportimeve për luftën në Ukrainë.
Durovi u arrestua në Francë në fundjavë si pjesë e një hetimi për krime të ndërlidhura me pornografi me fëmijë, trafikim droge e transaksione mashtruese në platformën e tij, thanë të hënën prokurorët francezë, raporton agjencia “Reuters”.
Pa paraqitur dëshmi, Volodini tha se Shtetet e Bashkuara, përmes Francës, u përpoqën që të ushtronin kontroll mbi rrjetin “Telegram”.
“Telegrami është njëra nga të paktat dhe në të njëjtën kohë ndër platformat më të mëdha në internet mbi të cilat Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndikim” – tha zyrtari i lartë rus në një shkrim.
“Në prag të zgjedhjeve në ShBA, është e rëndësishme për Bidenin që ta marrë nën kontroll Telegramin” – shtoi ai.
Shtëpia e Bardhë nuk e ka komentuar arrestimin e Durovit. Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se arrestimi i rusit “në asnjë mënyrë nuk ishte vendim politik”.
Kremlini tha të hënën se ende nuk i kishte parë akuzat franceze kundër Durovit.
Pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia më 2022, rrjeti “Telegram” është bërë burimi kryesor i përmbajtjes së pafiltruar dhe nganjëherë të rëndë e çorientuese nga të dyja palët për luftën dhe për politikën rreth konfliktit.
Platforma është bërë diçka që analistët e quajnë “fushëbetejë virtuale” për luftën dhe përdoret shumë nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, por edhe nga zyrtarët rusë./Nacionale