Kryeopozitari i Hungarisë e akuzon Rusinë për ndërhyrje politike - NACIONALE

Kryeopozitari i Hungarisë e akuzon Rusinë për ndërhyrje politike

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kreu i opozitës në Hungari, Peter Magyar, e akuzoi Rusinë të enjten për ndërhyre në politikën hungareze, pasi Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Rusisë, SVR, lëshoi një deklaratë në të cilën pretendoi se Komisioni Evropian është duke shqyrtuar “ndryshim të regjimit në Budapest”.

Në deklaratën e SVR-së, e cila u publikua të mërkurën, thuhet se duke u mbështetur në të dhënat që agjencia i kishte marrë, Komisioni Evropian e sheh udhëheqjen e tanishme të Hungarisë si pengesë gjithnjë më serioze ndaj një “Evrope të bashkuar”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në tetorin e kaluar, kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili ka dalë kundër përpjekjeve të BE-së për t’i ndaluar importet ruse të energjisë, gjithashtu ka pretenduar se Komisioni Evropian po mundohej ta rrëzonte qeverinë e tij dhe të sillte në pushtet një administratë “kukull” në Budapest.

“Brukseli është i tërbuar me përpjekjet e Budapestit për të ndjekur një politikë të pavarur dhe për të ndikuar në vendimmarrjen kolektive, sidomos sa u përket Rusisë dhe Ukrainës” – tha agjencia ruse për inteligjencë të jashtme, duke e përshkruar opozitarit Magyar si besnik ndaj “elitave globale”.

Magyar tha se Rusia po mundohet që të ndërhyjë drejtpërdrejt për të ndikuar te votuesit në Hungari, shtet anëtar i NATO-s, por nën udhëheqjen e Orbanit ka refuzuar që t’i dërgojë armë Ukrainës fqinje për t’u mbrojtur nga pushtimi rus.

“Dje, një operacion u nis zyrtarisht kundër Hungarisë. Një shtet i huaj, jo-aleat, është duke ndërhyrë në mënyrë aktive në çështje të brendshme të vendit tonë” – shkroi opozitari Magyar në rrjetin “Facebook”.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha se deklarata e SVR-së nuk përmban “asgjë të re”, duke i përsëritur pretendimet e mëhershme të euroskeptikut Orban se udhëheqësit e BE-së po bënin komplot për ta rrëzuar atë nga pushteti./Nacionale

Lajme të ngjashme