Kryeministri italian vendos kushte për të qëndruar në pushtet
Kryeministri italian, Mario Draghi, tha të mërkurën se shfaqja e përkrahjes popullore për qeverinë e tij është “e pashembullt dhe e pamundshme për t’u shpërfillur”, kur po i shqyrton thirrjet për të hequr dorë nga dorëheqja që e ofroi pas shkaktimit të krizës qeveritare nga një partner i koalicionit.
Draghi i paraqiti prioritetet që duhet t’i shqyrtojë kuvendi për rindërtimin e shumicës së nevojshme për punën efikase të qeverisë, duke lënë të kuptohet se ai është i gatshëm që të qëndrojë në pushtet, nëse kërkesat e tij përkrahen. Draghi e sfidoi drejtpërdrejt Lëvizjen Pesë Yjet për të vendosur nëse janë në qeveri apo jashtë saj, pasi populistët e tërhoqën përkrahjen ndaj qeverisë përmes një mocioni të mosbesimit javën e kaluar.
“A jeni të gatshëm? A jeni të gatshëm që ta rindërtoni këtë pakt? A jeni të gatshëm? Nuk duhet të ma jepni përgjigjen mua. Duhet t’ua jepni atë të gjithë italianëve”, tha kryeministri në fund të fjalimit të tij në senat.
Draghi e ofroi dorëheqjen javën e kaluar, pasi senatorët e Lëvizjes Pesë Yjet e bojkotuan mocionin e mosbesimit. Kryeministri italian ka këmbëngulur se nuk do të udhëheqë kurrë një qeveri të dytë ose një qeveri pa Lëvizjen Pesë Yjet. Javën e kaluar, ai tha qartazi se nuk do të qeverisë me ultimatum, raporton "Associated Press".
Megjithatë, duket se thirrjet nga Italia e jashtë saj që ai ta rishqyrtojë pozicionin e tij, kanë pasur efekt. Ditëve të fundit, udhëheqës politikë, kryetarë qytetesh, shoqata të mjekëve e qytetarë të rëndomtë i kanë bërë thirrje që të qëndrojë në pushtet në një kohë të tillë kritike për vendin, kur ka rritje të inflacionit e të çmimeve të energjisë, kur po zhvillohet lufta në Ukrainë e kur është në pyetje edhe shpërndarja e fondeve të BE-së për rimëkëmbje.
Draghi tha në senat se është prekur personalisht nga përkrahja e shfaqur për të, duke i përmendur veçanërisht peticionet e kryetarëve të qyteteve dhe personeli mjekësor.
“Mobilizimi i këtyre ditëve nga qytetarët, shoqatat dhe rajonet për vazhdimin e qeverisë është i pashembullt dhe i pamundur për t’u injoruar. Kjo kërkesë për stabilitet kërkon nga të gjithë ne që të vendosim nëse është e mundshme që të rikrijohen kushtet në të cilat qeveria mund të qeverisë vërtet”, tha Draghi.
Pavarësisht shenjave të kryeministrit se ai është i hapur për të qëndruar në pushtet, nuk dihet se si do të rrjedhin ngjarjet. Pas fjalimit të tij, ligjvënësit do ta kenë mundësinë që të reagojnë dhe të shtrojnë pyetje, ndërsa Draghi mund të përgjigjet. Mund të ketë edhe votim më vonë.
Tërë skenën po e përcillte presidenti Sergio Mattarella, i cili përfundimisht mund të vendosë që ta pranojë dorëheqjen e kryeministrit, nëse i ofrohet përsëri, të kërkojë nga ai ose dikush tjetër që ta vazhdojë qeverisjen deri në zgjedhjet e pranverës ose ta shpërndajë kuvendin tani dhe të shkaktojë zgjedhje të parakohshme në shtator./Nacionale
