Kryeministri i Spanjës në Izrael: Kundërpërgjigjja s’mund ta përfshijë vdekjen e mijëra fëmijëve, të formohet shteti palestinez - NACIONALE

Kryeministri i Spanjës në Izrael: Kundërpërgjigjja s’mund ta përfshijë vdekjen e mijëra fëmijëve, të formohet shteti palestinez

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka thënë se kundërpërgjigjja e Izraelit ndaj sulmeve “të tmerrshme” të Hamasit muajin e kaluar nuk mund t’i përfshijë “vdekjen e të pafajshmëve, përfshirë mijëra fëmijë”, dhe përsëri tha se formimi i një shteti palestinez krahas Izraelit mbetet mënyra më e mirë për të sjellë paqe e siguri në rajon.

Apeli i qartë i kryeministrit spanjoll erdhi në ditën e parë të vizitës dyditore në Izrael, Bregun Perëndim e Egjipt bashkë me homologun e tij belg, Alexander de Croo, raporton gazeta “The Guardian”.

Duke folur gjatë takimit me presidentin izraelit, Isaac Herzog, të enjten në mëngjes, Sanchez-i shprehu keqardhje për mizoritë e militantëve, por shtoi se ato nuk mund t’i justifikojnë vdekjet e të pafajshmëve.

“Spanja e ndan dhimbjen e Izraelit për ngjarjet e tmerrshme të 7 tetorit. Izraeli e ka të drejtën për ta mbrojtur veten, por duhet ta respektojë të drejtën ndërkombëtare. Kundërpërgjigjja e tij nuk mund të përfshirë vdekje të të pafajshmëve, përfshirë mijëra fëmijë. Duhet ta ndalim këtë katastrofë humanitare dhe ta ndalim vuajtjen e palestinezëve. Civilët duhet të mbrohen. Duhet të shikojmë për një armëpushim humanitar”- deklaroi ai.

Sanchez-i shtoi se autoritetet palestineze duhet ta marrin kontrollin e Gazës pas përfundimit të luftës. “Zgjidhja me dy shtetet duhet të zbatohet për ta mposhtur terrorizmin dhe për ta garantuar sigurinë e Izraelit”- tha ai.

Kryeministri spanjoll bëri thirrje për mbajtjen e një konference ndërkombëtare të paqes sa më shpejt që është e mundshme. “Duhet ta arrijmë themelimin e një shteti funksional palestinez. Izraelitët dhe palestinezët e kanë të drejtën për të jetuar në paqe dhe siguri”- shtoi më tej spanjolli.

Sanchez-i dhe De Croo-ja pritet të takohen të enjten pasdite edhe me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, para se të udhëtojnë për në Egjipt për bisedime me presidentin e këtij shteti, Abdel Fatah al-Sisi.

Spanja, e cila tash për tash e ka presidencën e BE-së, ka thënë se është e gatshme për të organizuar një konferencë ndërkombëtare të paqes rreth konfliktit Izrael – Hamas.

Të enjten, ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, tha: “Zgjidhja përfundimtare është ekzistenca e një shteti palestinez që e garanton sigurinë e Izraelit.” Kryediplomati spanjoll shtoi se vendi i tij është “në favor të njohjes” së një shteti palestinez.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme