Borrell: Formimi i shtetit palestinez, garancia më e mirë për sigurinë e Izraelit
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se formimi i një shteti palestinez do të ishte mënyra më e mirë për ta garantuar sigurinë e Izraelit.
Zyrtari i lartë mbajti një video-konferencë me ministrat e jashtëm të 27 vendeve të BE-së pas vizitës në Lindje të Mesme për bisedime rreth luftës së Izraelit me Hamasin, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Kryediplomati evropian tha se ka nxjerrë “një konkluzion themelor politik” nga diskutimet e tij në rajon. “Mendoj se garancia më e mirë për sigurinë e Izraelit është krijimi i një shteti palestinez”- tha Borrelli në një përmbledhje me shkrim të takimit të BE-së.
Borrelli ka këmbëngulur se Izraeli nuk duhet ta pushtojë Gazën pas përfundimit të konfliktit të tanishëm dhe se kontrolli i enklavës duhet t’i dorëzohet Autoritetit Palestinez, që e qeveris Bregun Perëndimor.
“Pavarësisht nga sfidat e mëdha, duhet t’i çojmë përpara reflektimet tona për stabilizimin e Gazës dhe për të ardhmen e shtetit palestinez”- shtoi ai.
Sipas Borrellit, në aspektin afatshkurtër, pas vizitave në një varg shtetesh arabe, ekziston një “ndjenjë urgjence” për situatën dëshpëruese humanitare në Gaza.
“Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që bën thirrje për pauza të menjëhershme humanitare, është hap i madh përpara, por ne duhet ta sigurojmë zbatimin e shpejtë të saj”- tha më tej diplomati evropian.
Një shqetësim tjetër është për mundësinë e zgjerimit të konfliktit në Bregun Perëndimor e tërheqjes në konflikt të aktorëve të tjerë.
“Pas shtimit të dhunës së ekstremistëve dhe kolonëve kundër palestinezëve, ekziston një rrezik real se situata mund të eskalojë”- vlerësoi shefi i politikës së jashtme të BE-së.