Ish-kryeministri izraelit: Më së miri që Gaza të kthehet nën kontrollin e Autoritetit Palestinez
Shefi i opozitës dhe ish-kryeministri i Izraelit, Yair Lapid, tha të enjten se ai beson që zgjidhja më e mirë për Rripin e Gazës pas mposhtjes së Hamasit do të ishte kthimi i enklavës bregdetare nën kontrollin e Autoritetit Palestinezë, që selinë e ka në Bregun Perëndimor.
“Mendoj se në fund, gjëja më e mirë është që Autoriteti Palestinez të kthehet në Gaza”- tha ai si përgjigje për pyetjen e gazetës “The Times of Israel” në një konferencë për gazetarë në Tev Aviv, në ditën e 13-të të luftës së Izraelit kundër Hamasit, grup që e qeveris Gazën.
“Nuk është ideale dhe, nëse më pyesni se cila do të ishte strategjia e daljes, ajo do të ishte ndihma ndaj komunitetit ndërkombëtar për ta ndihmuar (Autoritetin Palestinez që ta marrë kontrollin). Kështu ishin gjërat më parë”- shtoi Lapidi.
Hamasi e kishte larguar Autoritetin Palestinez nga pushteti në Gaza në vitin 2007 përmes një puçi të dhunshëm. Autoriteti Palestinez e ka selinë në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor dhe kontrollon qytete e fshatra të Bregut Perëndimor, edhe pse pushteti i tij është bërë gjithnjë më i dobët në mesin e akuzave për korrupsion, dobësi e bashkëpunim me Izraelin.
Duke premtuar se “nuk do të pushojmë derisa Hamasi të shkojë”, Lapidi sqaroi: “Kemi luftë me Hamasin, jo me popullin e Gazës.”
Kryetari i partisë “Yesh Atid” i dha këto komente gjatë një konference për gazetarë të huaj, të cilët i kritikoi për njëanshmëri sa i përket luftës së Izraelit me Hamasin.
Në veçanti, Lapidi i kritikoi mediat se gjoja e kanë pranuar narrativën e Hamasit se Izraeli ka qenë përgjegjës për një shpërthim vdekjeprurës në një spital në Gaza, edhe pse dëshmitë kanë treguar se ky rast ishte rezultat i një rakete të dështuar palestineze, që synohej të hidhej në Izrael.