Kryeministri i Polonisë do të thërrasë mocion mosbesimi pas fitores së presidentit djathtist - NACIONALE

Kryeministri i Polonisë do të thërrasë mocion mosbesimi pas fitores së presidentit djathtist

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka thënë se do të thërrasë një mocion mosbesimi në qeverinë e tij në përpjekje për të siguruar mbështetje për koalicionin qeverisës pas goditjes që pësoi në zgjedhjet presidenciale.

Në komentet e tij të para publike që nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve të së dielës, kryeministri u mundua ta rifitonte momentumin, duke premtuar se “do t’i kthehet punës” dhe do të dorëzojë një numër të draft-ligjeve, raporton gazeta “The Guardian”.

Duke i uruar mbështetësit e kandidatit djathtist të opozitës për president, Karol Nawrocki, për fitoren e tij, Tusku tha të hënën vonë se Qeveria ka një plan urgjent dhe u zotua se “nuk do të ndalet as për një moment”.

Në një deklaratë të publikuar në televizion, ai tha se dëshiron që “secili, përfshirë kundërshtarët tanë në vend e jashtë tij, të shohin... se ne e kuptojmë peshën e momentit, por nuk do të sprapsemi për asnjë hap”. Ai do të kërkojë votim parlamentar për ta vërtetuar shumicën.

Vendimi dramatik e vë në pah pozicionin e vështirë të Qeverisë, përderisa po ballafaqohet me pasojat e humbjes së garës për presidentin.

Tusku udhëheqë një aleancë me ideologji të ndryshme e politikisht të brishtë të partive pro-evropiane, nga e djathta agrare te e majta socialdemokrate, që ka premtuar se do ta ndërpresë erozionin demokratik pas tetë viteve pushtet të partisë Ligj dhe Drejtësi.

Pas 18 muajve bashkëjetese të vështirë me presidentin në largim dhe aleatin e partisë Ligj dhe Drejtësi, Andrzej Duda, Qeveria kishte shpresuar se kryetari pro-evropian i Varshavës, Rafal Trzaskowski, do t’i fitonte zgjedhjet presidenciale dhe do ta mënjanonte rrezikun prej vetos së presidentit ndaj legjislacionit progresist.

Megjithatë, humbja e së dielës do t’ia bëjë shumë të vështirë koalicionit qeveritar përmbushjen e premtimeve, duke e zgjatur ngërçin politik.

Nawrocki, i cili ka marrë mbështetje nga anëtarë të lartë të administratës së presidentit Donald Trump të ShBA-së, është kritikues i ashpër i Bashkimit Evropian dhe me gjasë do të bëhet aleat kurdo që mundet i udhëheqësve të tjerë euroskeptikë si kryeministri Viktor Orban i Hungarisë. Kjo paraqet rrezik për përçarje brenda BE-së në kohën kur blloku ballafaqohet me taksat nga ShBA-ja dhe luftën në Ukrainë./Nacionale

Lajme të ngjashme