Kryediplomati grek thotë se Evropa duhet t’i strehojë fëmijët e Gazës të prekur nga lufta - NACIONALE

Kryediplomati grek thotë se Evropa duhet t’i strehojë fëmijët e Gazës të prekur nga lufta

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Evropa ka për detyrë që t’i strehojë fëmijët e lënduar dhe të traumatizuar nga lufta në Gaza për aq gjatë sa konflikti vazhdon, tha të mërkurën ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, George Gerapetritis.

Kryediplomati grek po kërkon partnerë për atë që shpreson se do të jetë një projekt për t’i sjellë përkohësisht fëmijët e Gazës në vende të Bashkimit Evropian dhe tha se e ka diskutuar idenë këtë javë me kryeministrin Palestinez, Mohammad Mustafa, raporton agjencia “Reuters”.

“Ne duhet të ballafaqohemi me këtë tragjedi në mënyrë shumë të qartë. Evropa duhet të jetë e hapur për personat e lënduar [nga Gaza], por edhe për fëmijët, të cilët tani po përballen me vdekjen nga uria dhe me lloje të tjera të rreziqeve” – tha ai.

Greqia më herët këtë muaj u zgjodh si anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2025 – 2026 dhe Gerapetritis beson se lidhjet historike të vendit të tij me botën arabe do t’i japin kredibilitet për të vepruar si ndërmjetësues për paqe.

Diplomati 56-vjeçar, i cili është në postin e ministrit qe një vit, nuk tregoi se sa njerëz do të mund të strehoheshin nga Greqia ose nga BE-ja, por tha se çështja është duke u diskutuar me autoritete palestineze.

Ministri grek theksoi se kjo nismë nuk është e lidhur me migrimin e rregullt, që është bërë temë politikisht e ndjeshme në Evropë dhe që kundërshtohet fuqishëm nga djathtistët që po gëzojnë rritje të mbështetjes popullore.

“Kjo është thirrje e qartë për asistencë humanitare. Nuk po flasim këtu për imigrantë ekonomikë ose lloje të tjera të imigrimit të parregullt” – tha ai, disa ditë pasi partitë e së djathtës ekstreme shënuan rritje në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Greqia e ka dënuar sulmin e 7 tetorit nga militantët e Hamasit kundër Izraelit, por ka bërë thirrje për ndërprerje të sulmeve tokësore dhe ajrore izraelite në Gaza, nga të cilat, sipas autoriteteve palestineze, janë vrarë mbi 35 mijë njerëz e janë rrafshuar qytete të tëra.

Lajme të ngjashme