Kryediplomatët e Gjermanisë e Francës sot në Damask, takohen me Al-Sharaan
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, dhe homologu i saj francez, Jean-Noel Barrot, do të udhëtojnë për një vizitë njëditore në emër të Bashkimit Evropian në Siri, ku do të takohen me kreun e pushtetarëve të rinj, Ahmed al-Sharra, tha të premten Ministria e Jashtme e Gjermanisë.
“Udhëtimi im sot – bashkë me homologun tim francez në emër të BE-së – është një sinjal i qartë për sirianët: një fillim i ri politik mes Evropës e Sirisë, mes Gjermanisë e Sirisë, është i mundshëm” – tha kryediplomatja gjermane, sipas deklaratës së Ministrisë së Jashtme, e cila u lëshua para se ministrja të nisej për në Damask, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ministrat e jashtëm të Gjermanisë dhe Francës janë kryediplomatët e parë nga Bashkimi Evropian që e vizitojnë Sirinë që nga marrja e kontrollit të Damaskut nga rebelët më 8 dhjetor, duke e detyruar tashmë ish-presidentin Bashar al-Assad që të ikte në Siri pas më shumë se 13 vjetëve luftë civile e duke i dhënë fund sundimit të gjatë me dekada të familjes së tij.
“Në Siri, ne duam që të promovojmë një tranzicion paqësor e kërkues në shërbim të sirianëve dhe për stabilitetin rajonal” – shkroi në rrjetin X kryediplomati francez.
Aujourd’hui, je me rends à Damas avec @ABaerbock.
— Jean-Noël Barrot (@jnbarrot) January 3, 2025
Ensemble, la France et l’Allemagne se tiennent aux côtés du peuple syrien, dans toute sa diversité.
En Syrie, nous voulons favoriser une transition pacifique et exigeante au service des Syriens et pour la stabilité régionale.
Që nga rrëzimi i Assadit, rebelët islamistë të udhëhequr nga grupi i Sharaas, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), janë përpjekur që t’i sigurojnë vendet arabe dhe komunitetin ndërkombëtar se ata do të qeverisin në emër të të gjithë sirianëve dhe se nuk do ta eksportojnë jashtë shtetit revolucionin islamik.
Qeveritë perëndimore kanë filluar që në mënyrë graduale të hapin kanale me Sharaan dhe HTS-në, grup mysliman sunit që më parë ka qenë i lidhur me Al-Qaedan, dhe po fillojnë që të debatojnë rreth mundësisë për ta hequr HTS-në nga lista e organizatave terroriste.
Zonja Baerbock tha se po udhëton drejt Sirisë me “dorë të shtrirë” si dhe me “pritje të qarta” nga udhëheqësit e rinj, të cilët tha se do të gjykohen sipas veprave të tyre.
“Ne e dimë se nga vjen HTS-ja ideologjikisht, çfarë ka bërë në të kaluarën, por ne gjithashtu e dëgjojmë dhe e shohim dëshirën për moderim dhe për mirëkuptim me aktorë të tjerë të rëndësishëm” – shtoi ajo, duke i përmendur bisedimet me Forcat Demokratike Siriane kurde (SDF), të cilat përkrahen nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas zonjës Baerbock, qëllimi tani është që Siria të bëhet përsëri anëtare e respektuar e komunitetit ndërkombëtar./Nacionale/Nasuf Abdyli