Kremlini thotë se Putini e Zelensky mund të takohen veç për ta vulosur paktin e paqes
Kremlini tha të premten se një samit mes presidentëve të Ukrainës e Rusisë, Volodymyr Zelensky e Vladimir Putin, do të mund të mbahej vetëm si hap përfundimtar për ta nënshkruar marrëveshjen e paqes.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ka pak gjasa që një takim mes dy udhëheqësve të ndodhë në fund të gushtit, siç ka propozuar Ukraina, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
"Një takim samiti mund dhe duhet ta vërë pikën përfundimtare mbi një zgjidhje dhe duhet t’i betonojë modalitetet dhe marrëveshjet e hartuara nga ekspertët. Është e pamundshme që të bëhet kjo anasjelltas" – tha Peskovi para gazetarëve.
"A është e mundshme që të kalohet nëpër një proces të tillë kompleks brenda 30 ditëve? Epo, ka pak gjasa" – shtoi ai.
Një delegat ukrainas tha pas rundit të ri të bisedimeve të paqes mes dy vendeve të mërkurën se Kievi kishte propozuar një takim Putin – Zelensky në gusht, sepse ai do të mbahej brenda afatit 50-ditor të vendosur javën e kaluar nga presidenti amerikan, Donald Trump, që palët të arrijnë një marrëveshje.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka kërcënuar me sanksione të reja ndaj Rusisë dhe blerësve të naftës së saj, nëse një marrëveshje mes Kievit e Moskës nuk arrihet deri në fillim të shtatorit.
Sidoqoftë, zëdhënësi i Kremlinit edhe një herë i përshkroi pozicionet negociuese të dy palëve si “diametralisht të kundërta”.
“Ka pak gjasa që ata (dy presidentët) të bëhen bashkë brenda natës. Kjo do të kërkojë punë diplomatike shumë komplekse” – vlerësoi Peskovi./Nacionale