Kremlini thotë se ndihmat e reja tregojnë që administrata e Bidenit e do vazhdimin e luftës - NACIONALE

Kremlini thotë se ndihmat e reja tregojnë që administrata e Bidenit e do vazhdimin e luftës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kremlini tha të martën se vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’i dhuruar Ukrainës një pako të re armësh me vlerë të 725 milionë dollarëve tregon që administrata e presidentit në largim, Joe Biden, është e vendosur për të hedhur benzinë në zjarr në luftën e Ukrainës për t’u siguruar që konflikti të vazhdojë.

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, tha në një deklaratë të hënën se në pakon e re të ndihmave do të përfshihen raketa “Stinger”, municion për sistemin HIMARS, dronë e mina tokësore, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kur u pyet për këtë pako, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, para gazetarëve tha: “Administrata e tanishme është duke i ndjekur qëllimet e veta, vija e vazhdueshme e saj është që ta mbajë këtë luftë larg ngadalësimit.”

“Administrata [e Bidenit] është duke bërë gjithçka që mundet për të hedhur më tej benzinë në zjarr. Në të njëjtën kohë, kjo dhe pako të tjera të ndihmave nuk mund ta ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve, nuk mund të ndikojnë në dinamikat e vijave të frontit” – shtoi ai.

Njoftimi i Shteteve të Bashkuara shënon ngritje të konsiderueshme në nivelin e shfrytëzimit të të ashtuquajturit Autoritet Presidencial i Tërheqjes nga presidenti Joe Biden, me të cilin ShBA-së i lejohet tërheqja e armëve nga rezervat ekzistuese për të ndihmuar aleatë në raste urgjente.

Njoftimet e fundit përmes shfrytëzimit të Autoritetet Presidencial të Tërheqjes kanë lëvizur nga 125 milionë deri në 250 milionë dollarë. Bideni tashmë ka rreth 4 deri në 5 miliardë dollarë të miratuara nga Kongresi që ai pritet t’i shfrytëzojë për Ukrainën para se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, të rikthehet në pushtet më 20 janar të vitit të ardhshëm.

Lajme të ngjashme