Kremlini i kundërpërgjigjet planit të Zelensky-t me kërkesën e papranueshme për Ukrainën
Kremlini të mërkurën e shpërfilli planin 10-pikësh të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për paqe në Ukrainë, duke thënë se propozimet për përfundimin e konfliktit në këtë shtet duhet t’i marrin parasysh ato që Rusia i quan “realitete të sotme” të katër rajoneve ukrainase që i janë bashkuar Rusisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha: “Nuk mund të ketë plan të paqes për Ukrainën që nuk i merr parasysh realitetet e sotma në lidhje me territorin rus, me hyrjen e katër rajoneve në Rusi. Nuk mund të jenë paqësore planet që nuk i marrin parasysh këto realitete.”
Në shtator, Rusia i shpalli Donetskun, Luhanskun, Khersonin dhe Zaporizhian pjesë të territorit të saj pas referendumeve që nga Ukraina e vendet perëndimore janë cilësuar si të fabrikuara. Rusia nuk e ka nën kontroll të plotë asnjërin prej katër rajoneve të aneksuara.
Zelensky ka nisur një “stuhi” diplomatike për ta paraqitur planin e tij para udhëheqësve botërorë, përfshirë presidentin amerikan, Joe Biden, atë francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrin indian, Narendra Modi, vendi i të cilit e ka marrë presidencën e Grupit G20.
Për të lexuar për përmbajtjen e këtij plani, mund ta lexoni artikullin e mëposhtëm.
