Tash edhe Pelosi: Kosovës po 'i ikin' miqtë e saj në politikën amerikane
Ditën e enjte, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në ShBA, Nancy Pelosi njoftoi se do të heqë dorë nga posti i saj drejtues, i mbajtur për dy dekada. Megjithëse ky lajm ka tronditur edhe politikën amerikane përbën një lajm të keq edhe për vendin tonë: ikja e një njeriu tjetër që e njeh rastin e Kosovës.
Një nga gratë më të fuqishme dhe më ikonike në Uashington, njoftoi se nuk do të kandidojë më në postin drejtues të lideres së Demokratëve në Kongres, një ditë pasi mediat parashikuan se demokratët do të humbnin ngushtë shumicën e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve nga republikanët pas zgjedhjeve të mesmandatit.

E largimi i saj, mund të jetë një nga humbjet më të mëdha për Kosovën, pas vdekjes së senatorit John McCain, e largimit nga Kongresi të mikut të madh të shqiptarëve, Eliot Engel.
Pelosi, gruaja e parë dhe e vetme që ka shërbyer si kryetare - e njohur për aftësi të jashtëzakonshme për të kuptuar dhe kapërcyer ndryshime të mëdha politike - ishte në krye të grupit demokratik të Dhomës së Përfaqësuesve që nga viti 2002.
"Unë nuk do të kërkoj rizgjedhje në udhëheqjen demokrate në Kongresin e ardhshëm. Për mua, ka ardhur koha që një brez i ri të udhëheqë grupin demokratik që unë e respektoj thellësisht dhe jam mirënjohëse që janë kaq gati për të marrë mbi supe këtë përgjegjësi të jashtëzakonshme”, tha ajo teksa njoftoi dorëheqjen e saj.
82-vjeçarja, e cilësuar si një nga udhëheqëset më të suksesshme të partisë në Kongres dhe e cila ka ngritur reputacionin me fitoret legjislative në epokën e Bidenit, ka mbajtur një lidhje të veçantë e angazhim të vazhdueshëm edhe me Kosovën.

Dorëheqja e saj, u përcoll me shumë reagime falënderimi për kontributin e dhënë nga e gjithë bota, e edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani, e cilësoi Pelosin si një "kampione e fortë e demokracisë".
“Pelosi është një kampione e fortë e demokracisë dhe ka bërë histori me profesionalizmin, përkushtimin dhe shërbimin e saj të pashoq. Ajo është gjithashtu një kampione e vërtetë e lidhjes së veçantë mes dy kombeve tona. Në emër të popullit të Kosovës, ju falënderoj zonja Kryetare.” – shkroi Osmani në Twitter.
Ndihma e kërkuar nga Pelosi për Kosovën
Në vitin 1999, si kongresmene e Kalifornisë, pasi kishte udhëtuar për në Shqipëri e Maqedoni të Veriut, për të parë kushtet në kampet e refugjatëve nga Kosova, Pelosi kishte bërë kërkesë për të shtuar 67 milionë dollarë ndihmë për viktimat e luftës, e kërkesa e saj ishte pranuar nga Dhoma e Përfaqësuesve në masë të madhe.
“Këto para do të shkojnë drejtpërdrejt për të ushqyer viktimat shqiptare kosovare të fushatës brutale të spastrimit etnik të Millosheviçit”, pati deklaruar demokratja, por që nga ajo kohë ajo ka vazhduar të japë një mbështetje të madhe për Kosovën, duke u angazhuar edhe për afrimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Përveç Pelosit, dy emrat e tjerë amerikanë që lanë gjurmë në historinë e Kosovës ishin edhe senatori John McCain e kongresmeni Eliot Engel.
2018, vdekja e Senatorit John McCain
John McCain, ishte një ndër të parët zyrtarë amerikanë që gjatë luftës së Kosovës, kishte propozuar në Senat dhënien e autorizimit për presidentin e atëhershëm Bill Clinton, që të përdorte gjithë forcën e nevojshme, përfshirë trupat tokësore në ndihmë të Kosovës.
McCain nuk e fitoi kurrë postin e lartë politik për të cilin dëshironte, gjatë gjithë jetës së tij, ai ofroi një mbrojtje të plotë të Amerikës që ishte aktive dhe e angazhuar në botë.

Senatori po ashtu kishte realizuar një vizitë në Kosovë gjatë vitit 2017, duke kujtuar të gjitha përpjekjet e bëra për arritjen e pavarësisë së Kosovës. Gjatë një fjalimi të mbajtur në parlamentin e Kosovës, McCain kishte shprehur mbështetjen e gatishmërinë e ShBA-ve për të ndihmuar Kosovën në të gjitha sfidat e saj. Por, vetëm një vit pas, Kosova e humbi edhe këtë mik të madh, pasi McCain ndërroi jetë pas një sëmundjeje të gjatë në moshën 81-vjeçare.
2021, largimi i Eliot Engel nga Kongresi në ShBA
I njohur si “miku i shqiptarëve”, për shkak të rolit të tij vendimtar në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës si dhe mbështetjes së vazhdueshme për vendin, Engel ishte një ndër figurat më të dashura në vendin tonë.
Por, vitin e kaluar ai humbi pas 31 vitesh garën për kongres në distriktin e tij në Nju Jork.

Pak para largimit të tij nga Kapitoli, Engel kishte folur për udhëtimet e tij në Ballkan, por gjithmonë duke veçuar Kosovën.
“Asnjë vend nuk më ka prekur zemrën më shumë se Kosova,” janë fjalët e tij, megjithatë në janar 2021 ai u largua, duke e lënë Kosovën pa përkrahësin më të madh që mund të ketë pasur ndonjëherë në Kongresin Amerikan.
Albright
Ish Sekretarja amerikane e Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, Madeleine Albright, ndërroi jetë gjatë muajit prill.
Ajo ishte aq e dashur për kosovarët sa u nderua jashtëzakonisht shumë kur ishte në Prishtinë para disa vitesh. Madje, për nder të saj u përurua edhe një bust në sheshin Nënë Tereza.
Në varrimin e saj kishin marrë pjesë edhe liderët shtetërorë institucionalë.
Përveç këtyre katër emrave, edhe shumë e shumë politikanë tjerë që e njihnin çështjen e Kosovës nga afër janë pensionuar apo edhe kanë vdekur në vitet e fundit. Sidoqoftë, presidenti aktual amerikan Joe Biden vazhdon të mbetet një shpresë e madhe për vendin tonë.
