Koreja Veriore paralajmëron kundërpërgjigje të fuqishme ndaj një raporti të Pentagonit - NACIONALE

Koreja Veriore paralajmëron kundërpërgjigje të fuqishme ndaj një raporti të Pentagonit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Koreja Veriore i ka kritikuar ashpër Shtetet e Bashkuara për një raport të publikuar rishtazi nga Pentagoni, ku shteti aziatik cilësohet kërcënim i vazhdueshëm për shkak të armëve të shkatërrimit në masë, duke thënë të mërkurën se do t’i kundërvihet secilit agresion ose provokim nga ShBA-ja “me strategjinë më dërrmuese dhe të qëndrueshme të kundërpërgjigjes”.

Javën e kaluar, Pentagoni e publikoi versionin e deklasifikuar të “Strategjisë së vitit 2023 për Kundërvënien ndaj Armëve të Shkatërrimit në Masë”, duke i përshkruar sfidat dhe metodat e këtyre armëve për t’i adresuar ato. Në raport thuhet se përderisa Kina dhe Rusia i përfaqësojnë “sfidat kryesore rreth armëve të shkatërrimit në masë”, Koreja Veriore, Irani dhe organizatat e dhunshme ekstremiste mbeten “kërcënime të vazhdueshme rajonale” që duhet të adresohen, raporton agjencia “Associated Press”.

Përshkrime të tilla për Korenë Veriore nga ShBA-ja dhe reagimi i ashpër i shtetit të Lindjes së Largët nuk janë të pazakonshme. Megjithatë, shkëmbimi më i ri vjen në kohën e rritjes së shqetësimit se Koreja Veriore po planifikon marrëveshje armësh me Rusinë në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“ShBA-ja porsa e ka zbuluar qëllimin e saj të rrezikshëm për agresion që t’i shkelë seriozisht sovranitetin dhe sigurinë (e Koresë Veriore) dhe të shteteve të tjera të pavarura e sovrane, duke i kërcënuar ato me armë të shkatërrimit në masë, dhe që ta realizojë ambicien e saj të egër për marrjen e hegjemonisë globale ushtarake”- thuhet në një deklaratë të një zëdhënësi të paidentifikuar të Ministrisë së Mbrojtjes të Koresë Veriore, që u publikua nga mediat shtetërore.

Ushtria e Koresë Veriore do t’u “kundërvihet strategjisë ushtarake dhe provokimeve të agresorit imperialist të ShBA-së me strategjinë më dërrmuese dhe të qëndrueshme të kundërpërgjigjes”- thuhet më tej në deklaratë.

Javën e kaluar, Kuvendi i Koresë Veriore e ndryshoi kushtetutën e vendit për ta përfshirë ligjin bërthamor, shenjë që shteti është duke e fuqizuar edhe më shumë doktrinën e armëve bërthamore. Gjatë një seance të Kuvendit, udhëheqësi i shtetit, Kim Jong Un bëri thirrje për rritje eksponenciale të prodhimit të armëve bërthamore dhe për rol më të madh të vendit të tij në koalicionin e shteteve që u kundërvihen Shteteve të Bashkuara në një “Luftë të Ftohtë te re”.

Lajme të ngjashme