Koreja Jugore thotë se Koreja Veriore ka hedhur në det disa raketa me vetëdrejtim - NACIONALE

Koreja Jugore thotë se Koreja Veriore ka hedhur në det disa raketa me vetëdrejtim

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Koreja Veriore hodhi disa raketa me vetëdrejtim drejt Detit të Verdhë në orët e hershme të së shtunës, sipas ushtrisë së Koresë Jugore.

Hollësitë e hedhjes së këtyre raketave ishin duke u analizuar nga autoritetet e inteligjencës së Koresë Jugore dhe Shteteve të Bashkuara, thuhet në një deklaratë të Shtabit të Përgjithshëm të Koresë Jugore.

Kjo ishte hedhja më e re në një varg testimesh të raketave dhe ushtrimeve ushtarake të kryerja nga Koreja Veriore në javët e fundit, përfshirë hedhjen e dështuar të një sateliti spiun muajin e kaluar, duke nxitur kritika të reja nga partitë kryesore politike të vendit, raporton agjencia “Reuters”.

“Është një akt armiqësie që e kërcënon paqen në Gadishullin e Koresë”- tha një zëdhënës i Partisë së Fuqisë së Popullit, e cila është në pushtet në Kore Jugore.

Në një deklaratë të publikuar nga mediat shtetërore, Ministria e Jashtme e Koresë Veriore e akuzoi Japoninë për rritje të tensioneve në rajon përmes zhvillimit të raketave me rreze të gjatë, por nuk u përmend hedhja e raketave.

Pritet që Japonia dhe Shtetet e Bashkuara të pajtohen së shpejti për zhvillimin e përbashkët të një rakete sulmuese për t’iu kundërvënë kokave hipersonike që po zhvillohen nga Kina, Rusia dhe Koreja Veriore, sipas një raportimi të gazetës japoneze, “Yomiuri”, muajin e kaluar.

Koreja Jugore të premten njoftoi për vendosjen e sanksioneve ndaj katër individëve dhe një kompanie të Koresë Veriore si kundërpërgjigje ndaj hedhjes së asaj që e quajti raketë hapësinore nga Penjani muajin e kaluar.

Të enjten, mediat shtetërore raportuan se Koreja Veriore kishte kryer një simulim të sulmit bërthamor ndaj caqeve në mbarë Korenë Jugore, duke nxitur kritika nga Seuli.

Lajme të ngjashme