Koreja Veriore hedh dy raketa balistike pas arritjes së nëndetëses amerikane në Kore Jugore
Ushtria e Koresë Jugore tha se Koreja Veriore hodhi dy raketa balistike në det të hënën vonë, disa orë pas arritjes së një nëndetëseje amerikane me energji bërthamore në një port të Koresë Jugore.
Edhe Ministria e Mbrojtjes e Japonisë raportoi për hedhjen e atyre që tha se ishin dy raketa balistike nga Koreja Veriore dhe se të dyja ranë jashtë zonës ekskluzive ekonomike të saj, raporton agjencia “Reuters”.
Hedhja e këtyre raketave u bë në kohën e tensioneve të ngritura në Gadishullin e Koresë, kur Koreja Jugore dhe Shtetet e Bashkuara po bëjnë hapa për ta ngritur gatishmërinë e tyre ushtarake kundër programit të armëve të Koresë Veriore përmes dislokimit të aseteve strategjike ushtarake të ShBA-së.
Koreja Veriore ka reaguar me zemërim kundër këtyre veprimeve, duke thënë se dislokimi i armëve të tilla do të mund t’i plotësonte kriteret për përdorimin e armëve bërthamore nga ana e saj.
Shtetet e Bashkuara thanë se ishin duke u konsultuar ngushtë me aleatët e tyre për hedhjen e raketave nga Koreja Veriore, të cilat i quajti destabilizuese.
Në një deklaratë të publikuar të hënën, ushtria amerikane shtoi se hedhja e këtyre raketave nuk paraqiti rrezik të menjëhershëm ndaj personelit ose territorit të ShBA-së ose ndaj aleatëve të saj.
Më herët të hënën, një nëndetëse me energji bërthamore e Shteteve të Bashkuara hyri në bazën detare të ishullit jugor të Koresë Jugore, Jeju, për t’u ngarkuar me furnizime ushtarake gjatë një misioni të paspecifikuar operues, thanë forcat detare të Koresë Jugore.
Në fundjavë, Koreja Veriore hodhi një grumbull raketash me vetëdrejtim në det, në anën perëndimore të bregdetit të saj.
