Koreja Veriore merr vendim për ushtarin amerikan që ia shkeli kufirin - NACIONALE

Koreja Veriore merr vendim për ushtarin amerikan që ia shkeli kufirin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Koreja Veriore ka thënë se do ta dëbojë nga vendi ushtarin amerikan, Travis King, i cili e kishte kaluar me vrap kufirin e këtij shteti nga Koreja Jugore gjatë një shëtitjeje në korrik.

Penjani do ta dëbojë ushtarin pas përfundimit të hetimit për hyrjen “ilegale” të tij, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve në Korenë Veriore, KCNA, përcjell televizioni BBC.

Mediumi shtetëror nuk tregoi se si, kur ose ku do të dëbohet ushtari amerikan. Lirimi i tij vjen një muaj pas pranimit nga autoritetet e Koresë Veriore se e kishin ndaluar 23-vjeçarin.

Sipas KCNA-së, ushtari ishte rrëfyer për kalimin e paligjshëm të kufirit për shkak të “trajtimit çnjerëzor në ushtrinë amerikane, antipatinë ndaj racizmit dhe zhgënjimit me shoqërinë e pabarabartë në ShBA”.

“Organi përkatës në Republikën Popullore Demokratike të Koresë ka vendosur që ta dëbojë ushtarin e ShBA-së, Travis King, I cili ilegalisht kishte hyrë në territorin e republikës, në përputhje me ligjet e republikës”- raportoi agjencia KCNA.

Kingu ishte në një shëtitje me udhërrëfyes, kur ishte ndarë nga grupi dhe kishte vrapuar matanë kufirit.

Ai më parë ishte mbajtur dy muaj në ndalim në Kore Jugore nën akuzat për sulm, para se të lirohej më 10 korrik.

Lajme të ngjashme