Koreja Veriore del me qëndrim për konfliktin Izrael - Hamas, fajëson veç një palë - NACIONALE

Koreja Veriore del me qëndrim për konfliktin Izrael - Hamas, fajëson veç një palë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Mediat shtetërore të Koresë Veriore të martën e fajësuan Izraelin për shkaktim të gjakderdhjes në Gaza, duke paraqitur qëndrime për këtë konflikt për herë të parë.

“Rodong Sinmun”, medium i Partisë së Punëtorëve, publikoi një artikull të shkurtër për konfliktin dhe pasojat e tij, duke cituar media të huaja, raporton agjencia “Reuters”.

“Komuniteti ndërkombëtar pretendon se kjo përleshje ishte rezultat i akteve të vazhdueshme kriminale të Izraelit kundër popullit palestinez dhe se rrugëdalja themelore është që të ndërtohet një shtet i pavarur palestinez”- shkroi gazeta koreane.

Dhuna, që ka shkaktuar më shumë se 1 mijë e 500 viktima, ka nxitur deklarata ndërkombëtare në përkrahje të Izraelit dhe thirrje për përfundim të luftimeve e mbrojtje të civilëve pas sulmeve shkatërruese të Hamasit gjatë fundjavës.

Hamasi ka kërcënuar se do të ekzekutojë nga një peng izraelit secilën herë që Izraeli bombardon një shtëpi palestineze pa paralajmërim në kohën e frikës për një sulm tokësor nga forcat izraelite, që kanë thirrë në shërbim 300 mijë rezervistë dhe që kanë vendosur bllokadë përreth Gazës.

Mediat shtetërore të Koresë Veriore shpesh dalim kundër qëndrimeve të Perëndimit, sidomos atyre të Shteteve të Bashkuara, sa u përket çështjeve ndërkombëtare.

Të hënën, mediat shtetërore të vendit aziatik i dënuan “forcat armiqësore brenda e jashtë Sirisë” për një sulm me dron që shkaktoi shumë viktima atje, duke e cilësuar përpjekje terroriste për rrëzimin e regjimit të presidentit Bashar al-Assad.

Lajme të ngjashme