Koreani burgoset për përdhunim, u zbulua përmes reflektimit në rrobalarëse
Një gjykatë e lartë në Korenë e Jugut e ka mbajtur në fuqi dënimin ndaj një burri 24-vjeçar për një varg akuzash seksuale, përfshirë përdhunimin, pasi një sulm ishte pasqyruar në derën e një rrobalarëseje dhe u kap nga kamerat e sigurisë, thuhet në raportime.
Në pamjet e kamerave të sigurisë, të dorëzuara nga viktima, nuk dukej se shfaqej krimi, derisa hetuesit e vërejtën sulmin në pasqyrimin e derës së rrobalarëses, raporton televizioni BBC.
Ndaj burrit tashmë ishin ngritur aktakuza për shkelje të tjera, përfshirë përdhunimin e dyshimtë të ish të dashurës dhe marrëdhëniet intime me një të mitur, thuhet në raportime.
Ai fillimisht ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me tetë vjet burgim në nëntor, por e kishte apeluar vendimin.
Gjykata e lartë më pas e dënoi burrin me shtatë vjet burgim, duke thënë se e kishte marrë parasysh marrëveshjen që ai e kishte arritur me njërën nga viktimat.
Të dënuarit gjithashtu iu kërkua që të vendoste një byzylyk në dorë për përcjelljen e vendndodhjes për shtatë vjet pas lirimit nga burgu dhe i është ndaluar puna në objekte për fëmijë, të mitur dhe persona me aftësi të kufizuara për shtatë vjet./Nacionale