Kongresisti amerikan thotë se rrjedhja e dokumenteve mund të çojë në vrasje të ukrainasve - NACIONALE

Kongresisti amerikan thotë se rrjedhja e dokumenteve mund të çojë në vrasje të ukrainasve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rrjedhja e fundit e dokumenteve të klasifikuara ushtarake të ShBA-së, nëse ato janë origjinale, mund të ketë pasoja vdekjeprurëse për ukrainasit në luftën kundër Rusisë, tha një kongresist demokrat në Komitetin për Inteligjencë të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Nuk do të jetë vështirë për rusët që t’i ndërpresin rrugët për grumbullimin (e inteligjencës) që mund të kenë shpëtuar jetë çdo ditë”- tha të hënën kongresisti Jim Himes, raporton televizioni CNN.

“Gjithçka që jep shenjë drejt burimeve dhe metodave, e bart rrezikun real që ato burime dhe metoda të largohen dhe kjo mund të nënkuptojë njerëz që vriten, që mund të nënkuptojë se teknologjitë do të ndërpriten. Dhe kjo përkthehet në rezultate të këqija në fushën e betejës”- shtoi ai.

Himes theksoi se ai nuk është informuar për dokumentet dhe nuk mund ta vërtetojë në mënyrë të pavarur origjinalitetin e tyre. Megjithatë, disa zyrtarë amerikanë i kanë thënë televizionit CNN se dokumentet duket sikur janë të vërteta.

Zyrtarët amerikanë janë duke e bërë vlerësimin e dëmit dhe po mundohen që të përcaktojnë nëse ndonjëri nga burimet dhe metodat janë komprometuar nga rrjedhja e dokumenteve.

Himes tha se ai brengoset që aleatët më të ngushtë të ShBA-së – të ashtuquajturit “Pesë Sytë”, bashkëpunim në fushën e inteligjencës që i përfshin Australinë, Kanadanë, Zelandën e Re dhe Britaninë e Madhe – “mund të mendojnë dy herë për ndarjen e të dhënave më të ndjeshme të inteligjencës së tyre” për shkak të rrjedhjes së këtyre dokumenteve.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se rrjedhja e dokumenteve ka ndikuar që Pentagoni të ndërmarrë masa për ta shtrënguar rrjedhjen e dokumenteve të tilla të ndjeshme.

Lajme të ngjashme