Kongoja dënon me vdekje 13 ushtarë, përfshihet akuza për frikë - NACIONALE

Kongoja dënon me vdekje 13 ushtarë, përfshihet akuza për frikë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një tribunal ushtarak në Republikën Demokratike të Kongos ka dënuar me vdekje 13 ushtarë nën akuzat që përfshinë vrasjen, plaçkitjen dhe frikën në atë që autoritetet ushtarake thanë se është përpjekje për ta përmirësuar disiplinën në ushtri pas humbjeve territoriale për shkak të ikjes së ushtarëve.

Ushtarët u dënuan të martën në qytezën Lubero të provincës lindore, Kivuja Veriore, ku forcat kongoleze kanë qenë duke e luftuar kryengritjen e grupit M23 të mbështetur nga Ruanda për gati tre vjet, si dhe janë ballafaquar me dhunë nga grupe të tjera militante, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Luftimet kanë shpërthyer në territorin Lubero dhe rastet e ushtarëve që i kanë braktisur pozicionet e tyre e kanë ndihmuar armikun që të avancojë, tha zëdhënësi lokal i ushtrisë, Mak Hazukay.

“Disa nga ushtarët që supozohet të jenë duke e luftuar armikun në front kanë shfaqur një lloj jodisipline. Na u desh që ta organizonim këtë gjyq edukativ për t’i vënë gjërat në rregull” – tha ai.

Gjithsej 24 ushtarë dolën para gjyqit. Përpos atyre që u dënuan me vdekje, katër të tjerëve iu shqiptuan dënime me burgim nga dy deri në dhjetë vjet, gjashtë u liruan nga akuzat, ndërsa rasti i një ushtari tjetër u shty për t’u hetuar më tej.

Prokurori Kabala Kabundi i tha agjencisë “Reuters” se qëllimi i seancave gjyqësore ishte që “të ndihmohet rikthimi i besimit mes ushtrisë dhe popullsisë”.

Të gjithë të dënuarit u deklaruan të pafajshëm dhe kanë pesë ditë kohë për ta apeluar dënimin, tha Kabundi. Avokati i njërit prej të dënuarve tha se ata do ta apelojnë vendimin./Nacionale

Lajme të ngjashme