Komisioneri gjerman i migracionit e propozon planin për dëbimin e imigrantëve në Ruandë - NACIONALE

Komisioneri gjerman i migracionit e propozon planin për dëbimin e imigrantëve në Ruandë

4 ditë më parë

nga Nasuf Abdyli

Komisioneri gjerman për migrimin e ka propozuar dëbimin e imigrantëve në Ruanë, nëse ata arrijnë në Bashkimin Evropian përmes kufijve të bllokut me Bjellorusinë, përderisa Berlini po shqyrton masa për t’u vënë kufizimeve refugjatëve që arrijnë në BE.

Propozimi vjen në kohën e shtimit të presionit ndaj koalicionit qeveritar të Gjermanisë për ta kufizuar migrimin e parregullt pas një sulmi fatal të ndërlidhur me ISIS-in në një festival muajin e kaluar, që i fuqizoi opozitën e së djathtës ekstreme dhe kritikat ndaj politikave gjermane ndaj imigrantëve, raporton agjencia “Reuters”.

Joachim Stamp, përfaqësues i posaçëm për Marrëveshje të Migrimit, tha se BE-ja duhet t’i shfrytëzojë objektet ekzistuese për azil në Ruandë, të cilat fillimisht ishin planifikuar për planin e Britanisë më 2022 për të dërguar imigrantë të paautorizuar në shtetin e Afrikës Lindore. Plani britanik u hodh poshtë në korrik nga pushteti i ri, i udhëhequr nga kryeministri laburist, Keir Starmer.

Sipas propozimit të komisionarit gjerman, procedurat për azil në Ruandë do të kryheshin nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara.

“Ne tash për tash nuk kemi vend të tretë që është paraqitur, me përjashtim të Ruandës” – tha Stampi në një “podcast” të publikuar të enjten.

Anëtari i partisë FDP, që është pjesë e koalicionit qeveritar dhe që ka përgjegjësi në Ministrinë e Brendshme të Gjermanisë, tha se në shënjestër të këtij modeli në mënyrë specifike do të ishin refugjatët që i kalojnë kufijtë lindorë të BE-së.

“Sugjerimi im do të ishte që ne të përqendroheshim në këtë grup. Janë rreth dhjetë mijë njerëz në vit” – tha ai, duke i hedhur poshtë propozimet më të gjera për opozita konservatore që një model i tillë të zbatohet ndaj të gjithë refugjatëve.

Gjermani tha se Ruanda e ka shprehur publikisht vullnetin e saj për ta vazhduar zbatimin e këtij modeli.

Bashkimi Evropian në dhjetor u pajtua për rregulla të reja rreth trajtimit të ardhjeve të parregullta të azilkërkuesve dhe imigrantëve, pakt që është vlerësuar si hap i madh pas gati një dekade me përplasje të ashpra për këtë temë. Hyrja e plotë në fuqi e kësaj marrëveshjeje mund të realizohet vetëm nga fundi i vitit 2025./Nacionale

Lajme të ngjashme