Komentet e Trumpit për aneksimin e Kanadasë, deklarohet kryeministri Trudeau
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ka thënë se fjalët e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, për aneksimin e mundshëm të vendit të tij janë taktikë që e ka për qëllim shpërqendrimin e njerëzve nga ndikimi i taksave të propozuara kundër Otavës.
Trumpi, i cili thotë se do t’u vendosë taksë prej 25 për qind të gjitha importeve nga Kanadaja, nëse Otava nuk e fuqizon sigurinë kufitare, të martën tha se ishte duke e shqyrtuar forcën ekonomike për ta marrë nën kontroll Kanadanë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ajo që mendoj se është duke ndodhur në këtë është që presidenti Trump, i cili është negociator shumë i shkathët, po i bën njerëzit që të jenë disi të shpërqendruar prej asaj bisede” – tha Trudeau në televizionin CNN, kur u pyet për komentet e presidentit të zgjedhur amerikan.
“Nafta, gazi, rryma, çeliku, alumini, lënda e drurit, çimentoja dhe gjithçka që konsumatorët amerikanë blejnë nga Kanadaja papritmas do të bëhen shumë më të shtrenjtë, nëse ai lëviz përpara për këto taksa” – paralajmëroi kryeministri kanadez.
Trudeau, i cili këtë javë tha se ka gjasa “sa një top bore të jetë në ferr” që Kanadaja të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara, përsëri theksoi në CNN se Otava do të vendoste kundërmasa, nëse Trumpi e përmbush kërcënimin për taksa ndaj vendit të tij.
Kryeminsitri kanadez solli ndër mend një mosmarrëveshje tregtare dypalëshe të vitit 2018, kur Kanadaja u kishte vënë taksa keçapit “Heinz”, letrave për lojë, uiskit amerikan “bourbon” dhe motoçikletave “Harley Davidson” – siç tha ai, “ndaj gjërave që do t’i dëmtonin punëtorët amerikanë”.
Ai shtoi: “Por ne nuk duam që ta bëjmë atë, sepse ajo i ngre çmimet për kanadezët dhe e dëmton partnerin tonë më të ngushtë tregtar.”
Para disa ditëve, presidenti i zgjedhur amerikan publikoi në llogarinë e tij në rrjetin “Truth Social” dy harta, në të cilat Kanadaja paraqitej si pjesë e Shteteve të Bashkuara.
Ai ka shprehur interesim që ShBA-ja t’i marrë nën kontroll edhe Kanalin e Panamasë – rrugë e rëndësishme ujore për të kaluar nga Oqeani Atlantik në Oqeanin Paqësor – dhe Ishullin e Grenlandës, territor autonom i Danimarkës./Nacionale