Komentet e shefit të Pentagonit për Rusinë e shfaqin ndryshimin e qëllimeve të SHBA-së - NACIONALE

Komentet e shefit të Pentagonit për Rusinë e shfaqin ndryshimin e qëllimeve të SHBA-së

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Deklarata e sekretarit amerikan të Mbrojtjes se Uashingtoni dëshiron që ta shohë Rusinë të dobësuar ushtarakisht dhe të paaftë për t’u rimëkëmbur shpejt, shënon një ndryshim të qëllimeve të deklaruara të Uashingtonit, që e nënvizojnë përkrahjen e tij ushtarake për Ukrainën.

Julian Borger, “The Guardian”

Në një konferencë për gazetarë në Poloni pas vizitës së befasishme në Kiev, Lloyd Austin u pyet nëse tash do t’i përshkruante qëllimet e ShBA-së ndryshe nga ato që ishin vendosur pak kohë pas fillimit të pushtimit rus. Si përgjigje, ai filloi me linjën e ngulitur të administratës për ta ndihmuar Ukrainën që ta ruajë sovranitetin dhe ta mbrojë territorin e saj.

Më pas, ai shtoi një qëllim të dytë: “Ne duam që ta shohim Rusinë të dobësuar në shkallën ku nuk mund t’i bëjë llojet e gjërave që ka bërë gjatë pushtimit të Ukrainës.” Kjo nënkupton që Rusia “nuk duhet ta ketë kapacitetin që t’i riprodhojë shumë shpejt” forcat dhe pajisjet që kanë humbur në Ukrainë.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, vlerësoi të hënën se këto humbje e përbëjnë çerekun e fuqisë së Rusisë para luftës, me mbi 2.000 automjete të blinduara të shkatërruara, përfshirë të paktën 530 tanke si dhe 60 aeroplanë e helikopterë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili udhëtoi me sekretarin Austin për t’u takuar me Volodymyr Zelensky-n në Kiev, u pajtua me përshkrimin e tij për qëllimet e ShBA-së, duke thënë: “Mendoj se sekretari e tha këtë shumë mirë.”

Dy zyrtarët po flisnin në kohën kur obusët nga grumbulli i fundit i furnizimeve ushtarake amerikane filluan që të arrinin në Ukrainë dhe kur u njoftua ndarja e 165 milionë dollarëve ndihmë me municion “jostandard”.

Këto deklarata lanë të kuptohet se edhe nëse forcat ruse do të tërhiqeshin ose do të dëboheshin nga territori ukrainas që e kanë pushtuar nga 24 shkurti, ShBA-ja dhe aleatët e saj do të synonin që t’i mbanin sanksionet me qëllim që Rusisë t’i pamundësohet rindërtimi i forcave të saj.

Deklaratat gjithashtu dhanë shenjë se Uashingtoni është duke marrë pozicion në një debat të brendshëm brenda NATO-s për atë se a duhet të shfrytëzohet mundësia e gabimit strategjik të Vladimir Putinit në Ukrainë për t’u përpjekur që të kufizohet aftësia e tij për t’i kërcënuar shtetet e tjera në të ardhmen.

“Vetë baraspesha në NATO ka ndryshuar”, tha Rajan Menon, drejtor i programit për strategji në organizatën “Defence Priorities”. “Argumenti tash duket se është: kjo nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën; ka të bëjë me një problem më të madh, që është rreziku që Rusia përbën ndaj Evropës si tërësi dhe nëse e shikon në këtë mënyrë, këto komente fillojnë që të kenë kuptim”, shtoi ai.

“Rusët janë në tërheqje, prandaj është ky vlugu i optimizmit, që i ka lëvizur shtyllat e portës”, tha Menon, profesor emeritus i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Columbia-s. “Posa e thotë këtë Uashingtoni, fuqizohen ata në NATO që duan që lufta të jetë për këtë, sepse ajo që e thotë Uashingtoni, ka peshë”, shtoi ai.

Një diplomat amerikan tha se është e paqartë nëse këto deklarata pasqyrojnë një vendim të ri apo “një formësim të ri” të pozicionit ekzistues.

“Mendoj se është në mënyrë thelbësore për përpjekjet për të marrë epërsi në këtë krizë. Ka shumë kritika të brendshme se administrata po tregohet pasive”, tha diplomati. “E gjithë kjo po sillet për momentin në administratë, kur po punojnë për atë se sa saktësisht përpara duan të jenë”, shtoi ai.

Nëse deklaratat vërtet i përfaqësojnë qëllimet e administratës së Biden-it, ekziston një pyetje e veçantë: nëse është e arsyeshme që ato të deklarohen kaq troç. Kjo, në mënyrë të diskutueshme, e dobëson nxitjen e Rusisë për t’u tërhequr, e përforcon narracionin e Moskës se NATO-ja është duke zhvilluar luftë me prokurë në Ukrainë me qëllim të dobësimit të Rusisë dhe madje të ndryshimit të pushtetit, duke e thelluar paranojën e Putinit.

“Nëse do të isha duke i shkruar pikat e diskutimit të sekretarit, do të parapëlqeja që të thosha: qëllimi ynë është që Ukraina të fitojë e jo që qëllimi ynë është që ta dobësojmë Rusinë, sepse këto janë dy anë të së njëjtës monedhë, por njëra do të ishte shumë më në linjë me atë që e ka thënë administrata”, tha Alina Polyakova, kryetare e Qendrës për Analiza të Politikave Evropiane.

“Sigurisht, kjo do të përdoret nga mediet shtetërore ruse për t’u fuqizuar në narracionin që tashmë e kemi parë nga qeveria ruse, se ShBA-ja “ka dalë që të na marrë”, se ata duan që ta shkatërrojnë Rusinë”, tha ajo, por shtoi: “Sinqerisht, nuk mendoj se duhet të brengosemi shumë për atë se si do të tirret kjo nga mediet ruse, sepse ato mund të tjerrin gjithçka.”

Në fund të fundit, tha Polyakova, sekretari Austin po shprehte një ndjenjë të përhapur për rrezikun afatgjatë që e paraqet Putini dhe që është gjithnjë më vështirë për t’u injoruar.

“Mendoj se komentet e sekretarit ishin të sinqerta në atë që do të jetë interes më i madh i stabilitetit global dhe sigurisë evropiane që të mos ketë një shtet ushtarakisht agresiv që kufizohet me NATO-n ose me Evropën. Mendoj se kjo është shumë e qartë”, tha ajo. /Përktheu: Gazeta Nacionale

Lajme të ngjashme