Komandanti i ushtrisë amerikane e paralajmëron përfshirjen e Iranit, nëse sulmohet Hezbollahu
Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, Gjeneral Charles Q. Brown, ka paralajmëruar se çfarëdo ofensive e ushtrisë izraelite në Liban do të rrezikonte një kundërpërgjigje nga Irani në mbrojtje të grupit të fuqishëm të Hezbollahut atje dhe se forcat amerikane do të ishin të sfiduara për ta fuqizuar ombrellën e mbrojtjes ajrore të Izraelit.
Gjenerali amerikan tha se Irani “do të ishte më i prirur për ta mbështetur Hezbollahun” sesa që e përkrah Hamasin në Gaza, “sidomos nëse atyre u duket se Hezbollahu po rrezikohet në masë domethënëse”, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Brown-i tha se ShBA-ja me gjasë nuk do të ishte në gjendje që ta ndihmonte Izraelin për ta mbrojtur veten kundër një lufte më të gjerë me Hezbollahun në mënyrë po aq efikase sa në prill, kur e kishte ndihmuar këtë shtet për t’iu kundërvënë një sulmi me raketa e dronë nga Irani.
Sipas tij, është më vështirë që të sprapsen raketat me rreze më të shkurtër, të cilat Hezbollahu në mënyrë rutinore i hedh matanë kufirit në Izrael.
Kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara e kanë ndryshuar pozicionin e forcave amerikane në rajon për t’u siguruar më mirë që ato të jenë të mbrojtura, komandanti tha se siguria e trupave ka qenë prioritet tërë kohën dhe theksoi se asnjë bazë e ShBA-së nuk është sulmuar nga muaji shkurt.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë që të bisedojnë me udhëheqës izraelitë dhe të paralajmërojnë kundër zgjerimit të konfliktit.
Sipas gjeneralit amerikan, një porosi kyçe që po u përçohet izraelitëve është që “të mendojnë për rendin e dytë të efektit të çfarëdo lloji të operacionit në Liban dhe se si ai do të zhvillohej e si e prek jo vetëm rajonin, por si i prek edhe forcat tona në rajon”.
Zyrtarët izraelitë kanë kërcënuar me një ofensivë ushtarake në Liban, nëse nuk ka lëvizje të negociuar për ta larguar Hezbollahun nga zona kufitare pas më shumë se tetë muajve me sulme gjithnjë më të shpeshta ndaj qytezave dhe pikave ushtarake në veri të Izraelit.
Vetëm para disa ditëve, ushtria izraelite tha se kishte “miratuar dhe bërë të vlefshme” plane për një ofensivë në Liban, edhe pse ShBA-ja po punon për ta parandaluar shndërrimin e luftimeve në luftë të plotë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të dielën se shpreson që të mund të arrihet një zgjidhje diplomatike, por shtoi se ai do ta zgjidhte problemin “në një mënyrë tjetër”, nëse është e nevojshme. “Ne mund të luftojmë në disa fronte dhe jemi të përgatitur për ta bërë atë” – paralajmëroi kryeministri izraelit.
Kjo çështje pritet të ngrihet për diskutim këtë javë, kur ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, ta vizitojë Uashingtonin për takime me homologun amerikan, Lloyd Austin, me sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, e me zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë.
Këshilltari i lartë i presidentit Joe Biden të ShBA-së, Amos Hochstein, u takua me zyrtarë në Liban dhe Izrael javën e kaluar në përpjekje për t’i ulur tensionet. Ai iu tha gazetarëve në Bejrut të martën se bëhej fjalë për “situatë shumë serioze” dhe se nevojitej urgjentisht një zgjidhje diplomatike për të parandaluar një luftë më të madhe./Nacionale