Komanda Strategjike e ShBA-së alarmon për zhvillimin e armëve bërthamore të Kinës - NACIONALE

Komanda Strategjike e ShBA-së alarmon për zhvillimin e armëve bërthamore të Kinës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Komandanti i Komandës Strategjike të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, e cila e mbikëqyr programin e armëve bërthamore të ShBA-së, Admiral Charles Richard, ka paralajmëruar se Kina është duke zhvilluar armë bërthamore shumë më shpejt se Shtetet e Bashkuara dhe e quajti këtë çështje “problem i afërt në kohë” gjatë një fjalimi në një organizim të mbyllur këtë javë.

CNN

Përderisa zyrtarët e Pentagonit me vite e kanë ngritur alarmin për rritjen ushtarake dhe zhvillimin e armëve bërthamore të Kinës, komentet e Richard-it e paraqesin situatën si më të skajshme sesa që kanë deklaruar publikisht zyrtarët e tjerë.

“Përderisa unë po e vlerësoj nivelin tonë të parandalimit kundër Kinës, anija ngadalë po përmbytet. Po përmbytet ngadalë, por po përmbytet, përderisa ata rrënjësisht po e vendosin aftësinë në këtë fushë më shpejt se ne”, tha Admirali Richard.

“Përderisa ato vija vazhdojnë, nuk do të ketë rëndësi se sa i mirë është [plani ynë operativ] ose se sa të mirë janë komandantët tanë ose sa të mira janë forcat tona. Nuk do të kemi mjaftueshëm dhe ky është një problem shumë i afërt në kohë”, shtoi zyrtari i lartë ushtarak i ShBA-së.

Ai i bëri këto komente gjatë angazhimit në Simpoziumin Vjetor të Lidhjes së Nëndetëseve Detare të mërkurën. Ngjarja ishte e mbyllur për publikun, por komentet e admiralit u publikuan në një artikull të Departamentit të Mbrojtjes të premten, përcjell Nacionale.

Administrata e presidentit Biden në mënyrë të vazhdueshme e ka quajtur Kinën konkurrente kryesore globale të Shteteve të Bashkuara dhe ka paralajmëruar për zhvillimin e ushtrisë dhe programit të armëve bërthamore të këtij shteti në një varg dokumentesh që e shpjegojnë strategjinë ushtarake dhe të mbrojtjes të ShBA-së, të publikuara në fund të tetorit.

Kina është “sfidë në hapa” e Shteteve të Bashkuara, sepse është “konkurrentja e vetme me qëllimin dhe rritjen e aftësisë për t’i sfiduar në mënyrë të vazhdueshme Shtetet e Bashkuara për gjithçka, ushtarakisht, ekonomikisht, në teknologji, në diplomaci”, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes për strategjinë amerikane.

“Kina me gjasë synon që të ketë të paktën 1.000 koka bërthamore të dorëzueshme deri në fundin e dekadës”, thuhet në “Shqyrtimin e Gjendjes Bërthamore”, që është njëri nga dokumentet e politikës së mbrojtjes, për programin e armëve bërthamore të Kinës.

Admirali Richard kishte paralajmëruar për zhvillimin bërthamor të Kinës edhe vitin e kaluar, duke e quajtur “shpërthim strategjik” programin e saj bërthamor.

“Jemi duke qenë dëshmitarë të një shpërthimi strategjik nga Kina. Rritja dhe modernizimi shpërthyes i forcave të saj bërthamore e konvencionale mund të jenë vetëm ai që unë e përshkruaj si shpërthim dhe, sinqerisht, fjalët “që të lënë pa frymë” mund të mos jenë të mjaftueshme”, tha ai më 2021.

Lajme të ngjashme