Kolumnisti i njohur amerikan parashikon doktrinë të re të Bidenit, përfshihet shteti palestinez
Kolumnisti i njohur i gazetës amerikane “The New York Times”, Thomas L. Friedman, ka parashikuar se presidenti amerikan, Joe Biden, është duke formuar një doktrinë të re për Lindjen e Mesme dhe se ajo është “e madhe”.
“Ne do të shohim një strategji të re të administratës së Bidenit duke u zhvilluar për ta adresuar këtë luftë shumëfrontëshe që i përfshin Gazën, Iranin, Izraelin dhe rajonin – çfarë shpresoj se do të jetë një “doktrinë e Bidenit” që i përmbush seriozitetin dhe ndërlikueshmërinë e këtij momenti të rrezikshëm” – shkruan kolumnisti Friedman.
“E nëse nuk shohim një doktrinë të tillë të madhe, të guximshme, kriza në rajon do të pësojë metastazë në mënyra që do ta fuqizojnë Iranin, do ta izolojnë Izraelin dhe do ta lënë të shkatërruar aftësinë e Amerikës për të ndikuar në ngjarje atje për të mirë” – shtoi ai.
Sipas Friedmanit, një doktrinë e tillë e re e Bidenit do të zhvillohej në tri drejtime. “Një drejtim do të ishte një qëndrim i fortë e i vendosur ndaj Iranit, përfshirë hakmarrjen e fuqishme ushtarake kundër prokurave dhe agjentëve të Iranit në rajon si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së tre ushtarëve të ShBA-së në një bazë në Jordani nga një dron që si duket është hedhur nga një grup militant pro-iranian në Irak” – shkruan kolumnisti amerikan.
Drejtimi i dytë i doktrinës, sipas tij, do të ishte një nismë e pashembullt diplomatike e ShBA-së për të promovuar një shtet palestinez – “TANI”. “Kjo do të përfshinte njëfarë forme të njohjes nga ShBA-ja të një shtet të demilitarizuar palestinez në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës që do të vinte në jetë vetëm kur palestinezët të kishin zhvilluar një grup të institucioneve të përcaktuara e të besueshme dhe kapacitete të sigurisë për t’u siguruar që ky shtet të jetë funksional dhe që nuk do të mund ta kërcënonte kurrë Izraelin”- shkroi më tej ai.
Sipas kolumnistit, zyrtarë të administratës së Bidenit janë konsultuar me ekspertë brenda e jashtë qeverisë amerikane për forma të ndryshme që do të mund të merrte kjo njohje e shtetësisë palestineze.
Drejtimi i tretë, shkruan Friedmani, do të ishte një aleancë sigurie shumë e zgjeruar e ShBA-së me Arabinë Saudite, që do ta përfshinte edhe normalizimin e marrëdhënieve të shtetit arab me Izraelin – “nëse Izraeli është i përgatitur që të përqafojë një proces diplomatik që çon te një shtet i demilitarizuar palestinez, i udhëhequr nga një Autoritet Palestinez i transformuar”.
Friedmani thekson se nëse administrata e Bidenit arrin që t’i bëjë bashkë të gjitha këto plane – për këtë ekziston një “nëse” e madhe, sipas tij – doktrina e re e Bidenit do të ishte rirreshtimi më i madh strategjik në rajon që nga Traktati i Kampit të Davidit më 1979.
Më tej, kolumnisti thotë se të trija këto drejtime duhet të jenë të lidhura së bashku, në mënyrë që doktrina e re e Bidenit të funksionojë. “Unë besoj se zyrtarët amerikanë e kuptojnë këtë” – shkroi ai.