Kolonët izraelitë i rrahin me shkopinj vjelësit palestinezë të ullinjve në Bregun Perëndimor - NACIONALE

Kolonët izraelitë i rrahin me shkopinj vjelësit palestinezë të ullinjve në Bregun Perëndimor

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Disa kolonë izraelitë iu afruan kultivuesve palestinezë të ullirit dhe aktivistëve këtë javë në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, duke i rrahur me shkopinj. Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se të paktën një grua përfundoi në spital me lëndime serioze.

Sulmi i së dielës në qytezën Turmus Ayya, i cili është kapur në incizim nga agjencia “Associated Press”, erdhi në kohën kur palestinezët thonë se dhuna nga kolonët (ardhësit) në rajon po përkeqësohet. Kombet e Bashkuara dhe grupet për të drejtat e njeriut e kanë ngritur alarmin, përderisa periudha e vjeljeve po fillon dhe fermerët palestinezë janë në rrezik të shtuar gjatë vjeljes së ullinjve.

“Dhuna nga kolonët ka shkuar në qiell sa i përket shkallës dhe shpeshtësisë” – tha Ajith Sunghay, drejtor i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut në territorin palestinez. “Dy javë që nga fillimi i vjeljeve të vitit 2025, ne tashmë kemi parë sulme të ashpra nga kolonë të armatosur kundër burrave, grave e fëmijëve palestinezë dhe ndaj aktivistëve të huaj të solidaritetit” – shtoi ai.

Në njërën nga videot e siguruara nga agjencia “Associated Press”, një burrë i maskuar shihet duke vrapuar nëpër një ullishtë dhe duke rrahur të paktën dy njerëz me shkop, përfshirë një grua, e cila shihet e shtrirë pa ndjenja në tokë. Burri i maskuar dukej se kishte veshur një rrobë që quhet “tzitzit”, që përdoret gjatë ritualeve nga hebrenjtë.

Ministria palestineze e Shëndetësisë me seli në Ramallah tha se gruaja e rrahur u dërgua në spital me pasoja serioze, raporton agjencia e njohur e lajmeve.

Në një video tjetër, më shumë se dhjetë burra të maskuar shihen duke vrapuar nëpër një rrugë fshati krahas një ullishteje, duke ndjekur një veturë. Një pasagjer ia doli të dilte nga vetura dhe të ikte, ndërsa grupi i burrave vraponin pas tij.

Në një video tjetër shihen flaka e tymi duke dalë nga disa vetura të djegura.

Televizioni izraelit “Channel 12” raportoi se komandanti i një force policore në Bregun Perëndimor tha në një grup të brendshëm të policisë në aplikacionin “WhatsApp” se pamja e kolonit të maskuar duke e rrahur gruan “e mbajti zgjuar natën” dhe i udhëzoi oficerët që ta sillnin kolonin para drejtësisë./Nacionale

Lajme të ngjashme