Klubi i madh evropian mban takimin e parë në Pragë, kërkon 'rend të ri pa Rusinë' - NACIONALE

Klubi i madh evropian mban takimin e parë në Pragë, kërkon 'rend të ri pa Rusinë'

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Liderët e 44 vendeve evropiane janë duke u takuar në Pragë, në takimin e parë historik të një klubi të ri politik të kombeve.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka folur më parë për ndërtimin e “një komuniteti politik evropian pa Rusinë e Putinit”.

E në këtë takim, përveç liderëve të BE-së, Turqisë, Norvegjisë dhe Ballkanit, do të marrë pjesë edhe kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss, si dhe në një lidhje me video do të bashkohet edhe presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky.

Duke folur për takimin, Truss këmbënguli se "nuk ishte një konstrukt i BE-së apo një alternativë e BE-së". Ajo ka thënë se pas Brexit-it, Mbretëria e Bashkuar duhet të përfshihet në diskutime që e prekin "të gjithë kontinentin”.

Kujtojmë se ideja e një komuniteti më të gjerë politik evropian përtej BE-së u përkrah nga presidenti francez, Emmanuel Macron. Megjithatë, për forumin e ri ka ende skepticizëm brenda BE-së.

Në këtë samit ku po marrin pjesë edhe Zvicra, Islanda, Gjeorgjia, Azerbajxhani dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, në fokus të diskutimeve do të jetë lufta në Ukrainë, por do të flitet edhe për energjinë, migracionin dhe sigurinë.

Çfarë është ky komunitet i ri?

Kritikët e shohin atë si një përtypje të paqartë të ideve të vjetra, e cila nuk e ka ende të qartë rolin e vet.

I propozuar nga Macron-i këtë vit, ai tha se komuniteti “do të forcojë një platformë për koordinim politik për vendet e BE-së dhe ato jashtë saj."

Për këtë bashkëpunim midis kombeve, nxitës kryesor ishte pushtimi rus i Ukrainës.

Komuniteti i ri Politik Evropian nuk ka institucione apo staf të përkushtuar, gjë që ka sjellë pikëpyetje se si do të zbatohen vendimet.

Pra, është një përpjekje e pashembullt për t'i bashkuar liderët nga i gjithë kontinenti për t'i diskutuar fushat me interes të përbashkët. Nëse rezulton të jetë sukses, mund të vazhdojë të ndodhë deri në dy herë në vit. Nëse është dështim, mund të ndalohet.

Lajme të ngjashme