Kina thotë se dërgimi i armëve në Ukrainë nuk do të sjellë paqe
Zëvendës ambasadori i Kinës në OKB, Dai Bing, ka thënë të enjten në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se, “faktet brutale ofrojnë një provë të mjaftueshme se dërgimi i armëve në Ukrainë nuk do të sjellë paqe”.
“Shtimi i benzinës në zjarr vetëm do të përkeqësojë tensionet. Zgjatja dhe zgjerimi i konfliktit vetëm sa do t'i bëjë njerëzit e zakonshëm të paguajnë një çmim edhe më të lartë, "- ka thënë më tej ai, duke shtuar se Kina është e gatshme të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në zgjidhjen e krizës në Ukrainë.
Kujtojmë se fuqitë perëndimore i kanë dhënë Ukrainës miliarda dollarë armë që nga pushtimi i Rusisë, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe NATO e kanë akuzuar Kinën se po shqyrton furnizimin me armë për Rusinë dhe e kanë paralajmëruar Pekinin kundër një lëvizje të tillë. Këto akuza janë hedhur poshtë nga Kina.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë mbi një projekt-rezolutë që kërkon "paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme", duke kërkuar që Rusia të tërheqë trupat e saj.
Që kur Moska pushtoi Ukrainën, presidenti rus Vladimir Putin ka lënë të kuptohet vazhdimisht se Rusia mund të përdorë armë bërthamore nëse kërcënohet.
Lidhur me këtë çështje, Bing ka thënë se: “Armët bërthamore nuk mund të përdoren, lufta bërthamore nuk mund të luftohet”, ndërsa ka shtuar se, "të gjitha palët duhet të bashkohen kundër përdorimit ose kërcënimit të përdorimit të armëve bërthamore, të parandalojnë përhapjen bërthamore dhe të shmangin një krizë bërthamore."
