Kina ia shuan shpresën Rusisë: S’do t’u shesim armë palëve të përfshira në konfliktin e Ukrainës
Ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, tha të premten se vendi i tij nuk do t’u shesë armë palëve të përfshira në konfliktin e Ukrainës dhe se do ta rregullojë eksportimin e prodhimeve për përdorim të dyfishtë civil e ushtarak.
Kryediplomati kinez po përgjigjej për shqetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe të disa vendeve të tjera se Kina po e shqyrton ofrimin e asistencës ushtarake për Rusinë, të cilën Pekini e ka përkrahur politikisht e me retorikë në konflikt, edhe pse formalisht ka thënë se mban pozicion neutral, raporton gazeta “The Guardian”.
Duke folur në një konferencë për gazetarë me homologen gjermane, Annalena Baerbock, ministri kinez e përmendi përsëri gatishmërinë e Kinës për të dhënë ndihmë në bisedime për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për konfliktin dhe tha se të gjitha palët duhet të mbeten “objektive dhe të qeta”.
“Sa i përket eksportit të prodhimeve ushtarake, Kina zbaton një qëndrim të matur e të përgjegjshëm. Kina nuk do t’u ofrojë armë palëve përkatëse të konfliktit dhe do t’i menaxhojë e kontrollojë eksportet e prodhimeve për përdorim të dyfishtë në përputhje me ligjet dhe rregulloret”- shtoi ai.
Në anën tjetër, kryediplomatja gjermane tha se si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina ka përgjegjësi të posaçme për të ofruar ndihmë që t’i jepet fund konfliktit.
Përderisa Gjermania e ka përkrahur fuqishëm Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, Kina i ka fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për nxitjen e konfliktit, ka refuzuar që t’i kritikojë veprimet e Moskës dhe i ka kritikuar sanksionet ekonomike ndaj pushtetit në Rusi.
“Territori është i pandashëm dhe siguria është po aq e pandashme. Pa njohjen e interesave të sigurisë së një pale të posaçme, krizat dhe konfliktet janë të pashmangshme”- tha kryediplomati kinez.
“Kina është e gatshme që të vazhdojë të punojë për paqe dhe shpreson që të gjitha palët e përfshira në krizë të mbeten objektive dhe të qeta e të bëjnë përpjekje konstruktive për ta zgjidhur krizën përmes bisedimeve”- shtoi ai.

