Kina e rrethon Tajvanin me ushtrime ushtarake, ShBA-ja thotë se po i vëzhgon
Ushtria kineze dhe Roja Bregdetare e Kinës e kanë rrethuar ishullin kryesor të Tajvanit si pjesë e ushtrimeve të gjera për të cilat ajo tha se janë pjesë e një paralajmërimi kundër “akteve separatiste”, pas një fjalimi të mbajtur nga presidenti tajvanez.
Mediat shtetërore i lidhën ushtrimet e së hënës me fjalimin e presidentit të Tajvanit, Lai Ching-te, me rastin e Ditës Kombëtare të enjten e kaluar, kur ai ritheksoi se Kina “nuk ka të drejtë që ta përfaqësojë Tajvanin”, por se ai ishte i gatshëm për të punuar me vendin fqinj për t’i ruajtur paqen dhe stabilitetin, raporton gazeta “The Guardian”.
Të hënën, Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës tha se të gjitha degët e ushtrisë ishin duke iu afruar Tajvanit nga deti dhe ajri. Ushtrimet e përbashkëta do të përqendroheshin në gatishmërinë luftarake në det dhe në ajër, duke bllokuar porte e zona kyçe tajvaneze, si dhe në sulme ndaj caqeve detare e tokësore, tha zëdhënësi i Komandës së Teatrit Lindor, Li Xi.
“Ushtrimet gjithashtu shërbejnë si paralajmërim i ashpër për aktet separatiste të forcave të “Pavarësisë së Tajvanit” – shtoi kapiteni i lartë kinez.
Në të njëjtën kohë, Roja Bregdetare e Kinës, që është e ndarë nga ushtria, por shërben nën organin e njëjtë komandues, gjithashtu njoftoi “patrulla për sundimin e ligjit” përreth ishullit kryesor të Tajvanit. Sipas rrugëve të ilustruara të ushtrimeve shihet rrethimi i ishullit kryesor. Ato u përshkruan si “vepri praktik për ta kontrolluar Ishullin e Tajvanit në përputhje me ligjin duke u bazuar në parimin një Kinë”.
Ushtria kineze nuk tregoi se kur do të përfundonin ushtrimet dhe nuk njoftoi për ndonjë zonë të qitjes me municion të vërtetë ose ndonjë zonë ku ndalohen fluturimet. Në hartat e ofruara u shpallën nëntë zona për ushtrime, përfshirë gjashtë zona të mëdha afër porteve të mëdha të Tajvanit.
As expected, China announces PLA Joint Sword-2024B exercises (1st map). China Coast Guard exercises as well (2nd map). https://t.co/OSaC8uikOghttps://t.co/eZa2wheu77 pic.twitter.com/H8LKSzX6JJ
— Brian Hart (@BrianTHart) October 14, 2024
Në Uashington, zyrtarë të administratës së presidentit Biden thanë se ishin duke i vëzhguar ushtrimet dhe se nuk kishte justifikime që ato të mbaheshin pas fjalimit “rutinor” të presidentit tajvanez.
“Ne i bëjmë thirrje RPK-së [Republikës Popullore të Kinës] që të veprojë me përmbajtje për të shmangur çfarëdo veprimi të mëtejmë që mund t’i minojë paqen dhe stabilitetin në mbarë Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin më të gjerë, gjë që është thelbësore për paqen dhe mirëqenien rajonale dhe çështje e shqetësimit ndërkombëtar” – tha zëdhënës i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.