Kina dhe Bjellorusia bëjnë thirrje për paqe në Ukrainë - NACIONALE

Kina dhe Bjellorusia bëjnë thirrje për paqe në Ukrainë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Liderët e Kinës dhe Bjellorusisë kanë shprehur një “interesim të madh”, për të gjetur një zgjidhje paqësore në Ukrainë.

Pas bisedimeve të mbajtura në Pekin, presidenti kinez dhe ai bjellorus kanë lëshuar një deklaratë, ku Lukashenko ka thënë se vendi i tij "mbështet plotësisht" një plan të Pekinit për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Kujtojmë se javën e kaluar Kina propozoi një plan paqeje mes vendeve në luftë, duke bërë thirrje për respektim të sovranitetit kombëtar.

Sipas agjencisë shetërore të lajmeve në Bjellorusi, Belta, Kina dhe Bjellorusia "shprehën shqetësimin e thellë për konfliktin dhe interesin ekstrem për vendosjen sa më të shpejtë të paqes në Ukrainë".

Deri më tani, Lukashenko ka ndihmuar liderin rus në luftën e tij në Ukrainë dhe udhëtimi i tij në Pekin, është parë nga vëzhguesit si një tjetër shenjë të afrimit të Kinës me Rusinë dhe aleatët e saj.

Ndërkohë, plani 12 pikësh kinez i cili kërkon respektimin e "sovranitetit të të gjitha vendeve", nuk thotë në mënyrë specifike se Rusia duhet të tërheqë trupat e saj nga Ukraina si dhe dënon përdorimin e "sanksioneve të njëanshme", një kritikë ndaj aleatëve perëndimorë të Ukrainës.

Duke folur për këtë plan, bëhet e ditur se Lukashenko ka thënë se e "mbështet plotësisht iniciativën për sigurinë ndërkombëtare të paraqitur nga Kina”. E ndërsa plani kinez është pritur me mosbesim nga Perëndimi, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se pajtohej me disa pjesë të tij dhe e cilësoi si shenjë të gatishmërisë së Kinës për t’u angazhuar, si dhe kërkoi takim me liderin kinez Xi Jinping.

Lajme të ngjashme