Kina bën thirrje për qetësi pas incidentit në Poloni – cilat janë reagimet e vendeve të tjera?
Kina ka bërë thirrje për qetësi pas shpërthimit në Poloni, që la të vrarë dy persona në një fshat polak afër kufirit me Ukrainën.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, në një konferencë për gazetarë tha: “Në situatën aktuale, të gjitha palët përkatëse duhet të qëndrojnë të qeta dhe të ushtrojnë vetëpërmbajtje për ta shmangur eskalimin e situatës.”
Më herët, Franca bëri thirrje për kujdes maksimal për të vlerësuar se nga kishte ardhur raketa.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ka pak gjasa që raketa të jetë hedhur nga Rusia.
Kryeministri britanik, Rishi Sunak, tha se është e rëndësishme që të zbulohen faktet dhe të arrihet në një konkluzion. “Të gjithë ne duam që t’i shkojmë në fund asaj se çfarë ka ndodhur”- tha ai.
Presidenti i Estonisë, Alar Karis, i tha televizionit BBC se e sheh këtë rast si incident të izoluar, por shtoi se lufta duhet të ndalet sa më shpejt që është e mundshme.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha se ai e respekton deklaratën e Rusisë me të cilën e mohon përfshirjen e saj në incident dhe beson që Moska nuk ka të bëjë asgjë me shpërthimin në Poloni.
Ministri i Punëve të Jashtme i Finlandës, Pekka Haavisto, tha se është e rëndësishme që të dihen hollësitë e incidentit dhe të veprohet në mënyrën e duhur.
Ndërkohë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se përfaqësuesit e Grupit G7 dhe të NATO-s qëndrojnë të gatshëm për ta ndihmuar Poloninë për hetimin e rastit.

