Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së e miraton rezolutën për embargo armësh ndaj Izraelit
Me shumicë votash, shtetet anëtare të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB mbështetën një rezolutë me të cilën bëhet thirrje që të ndalohet shitja e armëve Izraelit për shkak të veprimeve të këtij shteti gjatë luftës në Gaza.
Njëzet e tetë shtete e përkrahën rezolutën, vetëm gjashtë votuan kundër saj, ndërsa 13 të tjera abstenuan, raporton televizioni BBC.
Kundër rezolutës votuan Argjentina, Bullgaria, Gjermania, Malawi, Paraguai dhe Shtetet e Bashkuara.
Shqipëria është anëtare e këtij organi dhe abstenoi gjatë votimit të rezolutës, njësoj si Mali i Zi.
Rezoluta u mbështet nga disa shtete evropiane, përfshirë Finlandën, Belgjikën e Luksemburgun. Edhe Kina votoi “për”. Rusia nuk është anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB.
Para votimit u shfaqën përçarje mes vendeve evropiane, pasi Gjermania dhe Bullgaria thanë se do të votonin kundër rezolutës, për shkak se dokumenti nuk e dënonte haptazi Hamasin (edhe pse e dënon hedhjen e raketave nga Gaza në Izrael dhe bën thirrje për lirimin e pengjeve).
Franca abstenoi, duke e përshkruar situatën humanitare në Gaza si “katastrofale”.
Edhe pse votimi nuk është i detyrueshëm, ai vjen nga organi më i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut dhe do ta shtojë presionin diplomatik ndaj Izraelit për ta ndryshuar qasjen në luftë, thekson televizioni britanik./Nacionale/Nasuf Abdyli