Këshilli i Sigurimit i OKB-së miraton planin e Donald Trump për Gazën
Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar propozimet e paraqitura nga Donald Trump për paqe të qëndrueshme në Gaza, duke përfshirë vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi dhe një rrugë të mundshme drejt një shteti palestinez sovran.
Rezoluta, e cila u miratua me 13 vota pro dhe 0 kundër, me abstenime nga Kina dhe Rusia, shënoi “një kurs të ri në Lindjen e Mesme për izraelitët dhe palestinezët dhe për gjithë njerëzit e rajonit”, tha përfaqësuesi i SHBA-së në OKB, Mike Waltz, në dhomën e këshillit, shkruan The Guardian.
Përfshirja e referencave për një Palestinë të pavarur ishte çmimi që SHBA duhej të paguante për mbështetjen nga bota arabe dhe islame, të cilat pritet të ofrojnë paqeruajtës për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF).
Megjithatë, në prag të votimit në OKB, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e përsëriti kundërshtimin e fortë të qeverisë së tij ndaj krijimit të një shteti palestinez, duke ngritur pikëpyetje nëse Izraeli do të lejojë zbatimin e propozimeve të mandatuara nga OKB-ja.
Pas votimit, Hamasi e refuzoi atë që e përshkroi si një “mekanizëm të imponuar kujdestarie ndërkombëtare” dhe këmbënguli se nuk do të çarmatoset.
Mbështetësit e rezolutës thanë se ajo duhet të çojë në heqjen e menjëhershme të kufizimeve të mbetura për hyrjen e ndihmave në Gaza, krijimin e një force ndërkombëtare stabilizimi që do të plotësonte boshllëkun e lënë nga tërheqja e ushtrisë izraelite, si dhe hapa drejt rindërtimit dhe një “rruge të mundshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze”.