Kërcënon frikshëm Medvedev, thotë se Britania është armik i përjetshëm i Rusisë
“Londra ka shfaqur historikisht dhe do të vazhdojë të shfaqë armiqësi ndaj Moskës,”- ishte deklarata e dhënë nga nënkryetari i Këshillit të Sigurimit rus Dmitry Medvedev.
Duke komentuar sanksionet e fundit të Mbretërisë së Bashkuar të vendosura ndaj pesë individëve të përfshirë në hetimin në lidhje me aktivistin opozitar rus tashmë të burgosur Vladimir Kara-Murza, Medvedev ka thënë se Britania është armik i përjetshëm i Rusisë.
"Britania gjithmonë ka qenë, është tani dhe do të jetë armiku ynë i përjetshëm. Të paktën deri në momentin kur ishulli i tyre arrogant dhe i ndyrë në mënyrë të neveritshme të zhytet në humnerën e detit nga një valë e shkaktuar nga një sistem armësh moderne rus," ka shkruar Medvedev duke kërcënuar.
Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, Medvedev ka thënë më ironi se sa i admirueshëm ishte besimi i personaliteteve britanike, duke folur specifikisht edhe për fjalët e ambasadorit britanik për rastin Kara-Murza.
"Ne nuk po flasim as për një "rast" specifik, por për besimin e tyre të zjarrtë se ky është një dënim i tmerrshëm dhe se zyrtarët rusë do të përdridhen në histeri për shkak të tij. Në fund të fundit, është e qartë se konflikti midis një forme të vjetëruar (monarkia degjeneruese britanike) dhe përmbajtja qesharake (thjesht shikoni fytyrat e kryeministrave të tyre të fundit <...>) ka krijuar disa krijesa mjaft të çuditshme,"- ka thënë tutje nënkryetari i Këshillit të Sigurimit, duke shtuar se ai ka shpërfillje të plotë për vendimet e tyre.
Kujtojmë se më 17 prill, Gjykata e qytetit të Moskës dënoi gazetarin politik Vladimir Kara-Murza me 25 vjet burg të sigurisë maksimale dhe një gjobë prej 4,880 dollarësh, duke e ndaluar atë të merret me gazetari edhe për shtatë vjet pas lirimit.
Sipas vendimit të gjykatës, ai është gjetur fajtor për krimet e parashikuara në Kodin Penal Rus (RCC) ("Përhapja publike e informacionit të rremë me vetëdije për Forcat e Armatosura Ruse"), ("Ekzekutimi i aktiviteteve të një organizate të huaj ose ndërkombëtare, veprimtaria e së cilës është shpallur e padëshirueshme në territorin e Federatës Ruse"), dhe ("Tradhtia e lartë").
Dënimi 25-vjeçar i zotit Kara-Murza, është kritikuar gjerësisht dhe ishte maksimumi i kërkuar nga prokurorët duke u bërë dënimi më i gjatë që një figurë opozitare ka marrë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Dënimi i ashpër është një shenjë se në Rusinë e sotme autoritetet janë të vendosura jo vetëm të mbyllin gojën e kritikëve, por edhe të neutralizojnë çdo gjë ose cilindo që ata besojnë se përfaqëson një kërcënim për sistemin politik.

