Katz: Nëse shembet armëpushimi, s’do të ketë më përjashtim për shtetin e Libanit - NACIONALE

Katz: Nëse shembet armëpushimi, s’do të ketë më përjashtim për shtetin e Libanit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka kërcënuar se nëse shembet armëpushimi në Liban, forcat izraelite nuk do të bëjnë më dallim mes Libanit dhe Hezbollahut.

Gjatë vizitës në pjesën veriore të Izraelit, Katzi citohet të ketë thënë se Qeveria e Libanit duhet “ta autorizojë ushtrinë libaneze që ta zbatojë pjesën e saj, që Hezbollahu të mbahet larg [lumit] Litani dhe ta çmontojë tërë infrastrukturën”, raporton gazeta “The Guardian”.

“Nëse armëpushimi shembet, nuk do të ketë më përjashtim për shtetin e Libanit. Ne do ta zbatojmë marrëveshjen me ndikim maksimal dhe zero tolerancë. Nëse deri më tani ne e kemi bërë dallimin mes Libanit dhe Hezbollahut, ky nuk do të jetë më rasti” – paralajmëroi ministri izraelit, i cili deri vonë ka qenë në postin e kryediplomatit.

Ushtria izraelite ka lëshuar urdhra me të cilët ua ka ndaluar civilëve në Libanin fqinj kthimin në dhjetëra fshatra në jug, ku dhjetëra mijëra njerëz janë zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre.

Shumë izraelitë në pjesën veriore të Izraelit gjithashtu janë detyruar që të zhvendosen për shkak të shkëmbimit gati të pandërprerë të zjarrit mes Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

Ministri Katz kërcënoi: “Nëse ne kthehemi në luftë, do të veprojmë fuqishëm, do të shkojmë më thellë dhe gjëja më e rëndësishme që ata duhet ta dinë, që nuk do të ketë më përjashtim për shtetin e Libanit.”

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Liban, numri i të vdekurve nga sulmet izraelite brenda këtij shteti nga 7 tetori i vitit 2023 është mbi tre mijë, ndërsa mbi 13 mijë të tjerë janë plagosur.

Izraeli ka thënë se i ka kryer shpërthimet me pejxherë në shtator, ndërsa në javët e fundit ka kryer një valë të sulmeve të gjera ajrore, në shënjestër të të cilave pretendon se ka qenë infrastruktura e Hezbollahut./Nacionale

Lajme të ngjashme