Katër mësimdhënës universitarë nga ShBA-ja theren në një park publik në Kinë
Katër mësimdhënës universitarë nga Shtetet e Bashkuara ndodhen në spital, pasi ishin therur nga një sulmues i panjohur në një park publik në Kinë.
Mësimdhënësit e Kolegjit “Kornell” në Iowa u lënduan në “incidentin serioz” gjatë një vizite ditën në parkun që ndodhet në provincën Jilin, thuhet në një deklaratë të universitetit, raporton televizioni BBC.
Kongresisti nga Iowa, Adam Zabner, sa the vëllai i tij, Davidi, është njëri nga katër mësimdhënësit e lënduar në incidentin që ai e përshkroi si therje.
Zabneri tha se vëllai i tij ishte therur në krah në parkun “Beishan” të qytetit Jilin dhe se ishte duke e marrë veten në spital.
“Ai ende nuk është liruar këtë mëngjes, por është mirë” – i tha kongresisti televizionit “CBS News”.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha BBC-së se ky institucion është i vetëdijshëm për raportimet për një incident me therje në Jilin, por se nuk mund të ofronte të dhëna shtesë.
Kolegji “Cornell” tha se katër mësimdhënësit ishin duke ligjëruar “si pjesë e një bashkëpunimi me një universitet në Kinë”. Grupi po shoqërohej nga një anëtar i Universitetit “Beihua” në kohën e vizitës së tyre në park të hënën.
Autoritetet kineze ende nuk janë përgjigjur për incidentin, por pamjet e pasojave u shpërndanë shpejt në rrjete sociale.
Në fotografi që po qarkullojnë duket se shfaqen të paktën tre persona me gjakderdhje dhe të shtrirë në tokë.
Megjithatë, duket se incidenti është censuruar shpejt në internet brenda territorit të Kinës. Të martën, nëse kërkonit terme si “të huajt Jilin”, nuk shfaqej asnjë rezultat, edhe pse këto fjalë ishin në trend në rrjetin “Weibo”.