“Kape komandantin, vriti të gjithë të tjerët”: Kapet komunikimi mes forcave ruse në radio-lidhje - NACIONALE

“Kape komandantin, vriti të gjithë të tjerët”: Kapet komunikimi mes forcave ruse në radio-lidhje

8 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Radio-lidhja lëshoi një kërcitje, por urdhri i lëshuar përmes saj ishte i qartë: Kape komandantin e vriti të tjerët.

Komunikimi drithërues ishte pjesë e një vargu të transmetimeve në radio mes forcave ruse për të cilat zyrtarët ukrainas thonë se ofrojnë dëshmi të mëtejme se eprorët rusë po i urdhërojnë ushtarët që të ekzekutojnë trupa të dorëzuara ukrainase në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, raporton televizioni CNN.

Komunikimet me radio-lidhje që janë kapur nga Ukraina dhe që u siguruan nga televizioni amerikan përmes një zyrtari ukrainas të inteligjencës duket se përputhen në kohë me pamjet prej dronëve të një ekzekutimi të dyshimtë nga ushtarët rusë në rajonin Zaporizhia të Ukrainës në nëntor. Në pamje shfaqen gjashtë ushtarë të shtrirë me fytyrë nga toka. Të paktën dy prej tyre qëllohen nga afërsia, ndërsa një tjetër merret dhe largohet.

Vdekja e këtyre ushtarëve është duke u hetuar nga prokurorët ukrainas, të cilët kishin shpërndarë një pamje të ngrirë nga videoja me dron pas incidentit. Një zyrtar ukrainas i afërt me hetimin tha se të njëjtat komunikime me radio-lidhje që i ka siguruar televizioni CNN ishin duke u ekzaminuar si pjesë e hetimit për vrasjen e ushtarëve.

Televizioni CNN nuk ka qenë në gjendje që në mënyrë të pavarur ta vërtetojë komunikimin përmes radio-lidhjes ose të konfirmojë që ai ishte i lidhur drejtpërdrejt me pamjet nga droni, por një ekspert i forenzikës, i cili i ka analizuar incizimet, tha se nuk duket që ato janë manipuluar.

Një hetues i lartë i Kombeve të Bashkuara dhe një zyrtar perëndimor i inteligjencës i thanë televizionit se komunikimet përmes radio-lidhjes dhe pamjet nga droni përputhen me raste të tjera të forcave ruse që dyshohen se kanë ekzekutuar trupa ukrainase që ishin dorëzuar.

Morris Tidball-Binz, raportues i posaçëm i OKB-së për ekzekutime jashtëgjyqësore ose arbitrare, tha se komunikimet me radio-lidhje dhe pamjet nga droni sugjerojnë se ushtarë të dorëzuar janë vrarë nga forcat ruse, siç është raportuar nga Kombet e Bashkuara.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk i është përgjigjur kërkesës së televizionit CNN për koment rreth këtyre dyshimeve.

Zyrtarë rusë më parë kanë mohuar se trupat ruse kanë kryer krime lufte dhe kanë këmbëngulur se Rusia i trajton të burgosurit e luftës në pajtueshmëri me të drejtën ndërkombëtare./Nacionale

Lajme të ngjashme