Kampioni iranian i boksit në rrezik për t’u ekzekutuar, i refuzohet kërkesa për rigjykim - NACIONALE

Kampioni iranian i boksit në rrezik për t’u ekzekutuar, i refuzohet kërkesa për rigjykim

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Një kampion boksi që po mbahet në burg në Iran mendohet se është në rrezik të menjëhershëm për t’u ekzekutuar, pasi Gjykata Supreme e këtij vendi e refuzoi kërkesën e tij për rigjykim.

Mohammad Javad Vafaei Sani, 30 vjeç, nga Mashhadi në verilindje të Iranit, ishte arrestuar në vitin 2020 për pjesëmarrje në protestat gjithëkombëtare për demokraci më 2019 dhe ishte akuzuar për mbështetjen e një grupi opozitar, Organizata Muxhahide Popullore e Iranit (MEK). Ai është mbajtur pesë vjet në burg, ku është torturuar dhe është izoluar nga të burgosurit e tjerë, raporton gazeta “The Guardian”.

Kërkesa e tij për rigjykim u hodh poshtë më 15 dhjetor. Në të njëjtën ditë, atij në mënyrë të papritur iu mundësua një vizitë nga nëna e tij, lëvizje që, sipas aktivistëve, mund të sinjalizojë se ai së shpejti do të ekzekutohet. Asaj i është thënë përmes telefonit nga burgu se rasti i birit të saj është dërguar në departamentin për zbatimin e dënimeve në Mashhad.

“Jeta e tij është në rrezik të madh, zbatimi i dënimit me vdekje për të mund të ndodhë në cilindo moment” – tha Shahin Gobadi nga komisioni për punë të jashtme i Këshillit Kombëtare të Rezistencës së Iranit, koalicion i lëvizjeve opozitare.

Boksieri Sani u dënua me vdekje për herë të tretë në shtatorin e vitit 2024 pas atij që u cilësua si “gjykim tepër i padrejtë”, sipas organizatës “Amnesty International”. Gjykata Supreme e mbajti në fuqi dënimin me vdekje më 4 tetor.

Muajin e kaluar, më shumë se 20 fitues të medaleve olimpike, trajnerë e atletë ndërkombëtarë, përfshirë tenisten Martina Navratilova dhe notaren Sharron Davies, nënshkruan një letër me të cilën bëhej thirrje kundër ekzekutimit të boksierit Sani.

Në vitin 2023, më shumë se 100 ekspertë për të drejtat e njeriut dhe organizata i dërguan letër komisionerit të lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk, duke i bërë thirrje për veprime për ta parandaluar ekzekutimin e atletit./Nacionale

Lajme të ngjashme