"Jemi lodhur nga rrahjet": Protestuesit në të gjithë ShBA-në, bëjnë thirrje për drejtësi - NACIONALE

"Jemi lodhur nga rrahjet": Protestuesit në të gjithë ShBA-në, bëjnë thirrje për drejtësi

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Pas publikimit të pamjeve të rrahjes fatale të një 29-vjeçari më ngjyrë nga pesë oficerë policie, janë zhvilluar protesta në shumë qytete të ShBA-së.

Protestat u ndezën pas publikimit të videos së rrahjes së Tyre Nichols, ku dukej se si ai ishte rrahur dhunshëm për tre minuta nga oficerët e policisë, e si shkak i dhunës më pas edhe kishte ndërruar jetë.

Është bërë e ditur se pesë oficerët janë shkarkuar, pasi një hetim i brendshëm ka zbuluar se ata ishin "përgjegjës të drejtpërdrejtë" për rrahjen dhe janë akuzuar për "vrasje të shkallës së dytë, sulm të rëndë, dy akuza për rrëmbim të rëndë, dy akuza për shkelje zyrtare dhe një akuza për shtypje zyrtare”.

Videoja e publikuar të premten vonë tregon oficerët duke e shkelmuar Nichols në mënyrë të përsëritur në kokë, duke e goditur me grusht në fytyrë dhe duke e goditur me shkop.

Ndërkohë, protestuesit në Memphis, ku ndodhi rrahja fatale, kanë dalë në Interstate 55, një autostradë që lidh Tenesin dhe Arkansas, për të shprehur zemërimin e tyre ndaj videos dhe forcës së vazhdueshme të përdorur nga policia e Memphisit.

Edhe në Nju Jork, dhjetëra protestues janë mbledhur në Times Square duke dënuar rrahjen brutale nga policia. Protesta janë zhvilluar edhe në Çikago, ku disa grupe më të vogla kanë organizuar vigjilje në përgjigje të videos.

Sipas ABC 7 Chicago, rabini Michael Ben Yosef, është shprehur duke thënë se: "Ne jemi të lodhur duke u vrarë, të lodhur nga rrahjet, të lodhur nga ndjekja."

Protesta ka pasur edhe në Uashington DC, me gati 100 persona të mbledhur në sheshin Laayette.

Lajme të ngjashme