Javën e ardhshme pritet hapja e pikëkalimit kufitar në Rafah mes Gazës e Egjiptit
Izraeli pritet që ta hapë pikëkalimin kufitar mes Gazës dhe Egjiptit në të dyja drejtimet javën e ardhshme, sipas mediave izraelite.
Këto media thonë se tani fokusi është mbi kushtet politike dhe të sigurisë nën të cilat do të zbatohet vendimi, transmeton gazeta “The Times of Israel”.
Sipas raportimeve, Izraeli do ta mbajë kontrollin e plotë të pikëkalimit përmes sistemeve të vëzhgimit nga largësia, miratimit paraprak të emrave të udhëtarëve dhe dokumenteve të identifikimit si dhe dislokimit të ushtrisë izraelite në perimetrin e pikëkalimit.
Edhe pse thuhet se nuk do të ketë prani të përhershme izraelite brenda pikëkalimit, ata që hyjnë dhe dalin nga Gaza do të kalojnë nëpër një pikë izraelite të kontrollit të vendosur afër pikëkalimit me qëllim të parandalimit të trafikimit të armëve.
Hapja e planifikuar e pikëkalimit kufitar të Rafahut thuhet se po bëhet me kërkesën e Shteteve të Bashkuara, si pjesë e përpjekjeve më të gjera për lehtësimin e transferimit të qeverisjes së Gazës nga Hamasi tek organe të tjera.
Ndërkohë, televizioni izraelit “Channel 12” raporton se Shtetet e Bashkuara dhe disa ndërmjetës kyçë për Gazën kanë filluar në heshtje bisedime me Hamasin për një plan që do t’i sillte çarmatosjen graduale të grupit dhe çmontimin e infrastrukturës ushtarake të tij në Rripin e Gazës.
Sipas këtij raporti, diskutimet ku po marrin pjesë Shtetet e Bashkuara, Katari, Turqia e Egjipti kanë qenë duke u zhvilluar që dy apo tri javë.
Plani që i është paraqitur Hamasit thuhet se bën thirrje për shkatërrimin e menjëhershëm të armëve të rënda, tuneleve, qendrave për prodhimin e armëve dhe infrastrukturën e grupit, të pasuara nga një proces i gjatë dhe i ndarë në faza për grumbullimin dhe çmontimin e armëve personale që mbahen nga anëtarët e Hamasit dhe të armatosurit e tjerë.