Japonia me kërkesë të pazakontë ndaj të rinjve: Pini më shumë alkool
Të shqetësuar për ndryshimin e demografisë dhe nga një rënie e mprehtë e të ardhurave nga taksat, zyrtarët japonezë kanë dalë me një zgjidhje të pazakontë: inkurajimin e të rinjve të pinë më shumë alkool.
“Sake Viva!” - një konkurs i drejtuar nga agjencia e taksave të vendit - u bën thirrje njerëzve të moshës 20 deri në 39 vjeç që të hartojnë "plane biznesi" për të ndihmuar në ringjalljen e kulturës japoneze të pijes, një pjesë integrale e jetës së korporatave në vendin e Azisë Lindore.
Sipas Washington Post, një rënie prej dekadash e konsumit të alkoolit japonez, u përkeqësua edhe më shumë nga pandemia e koronavirusit, me njerëzit që hanin dhe pinin shumë më pak se zakonisht.
Megjithëse Japonia nuk hyri asnjëherë në bllokim të plotë, një gjendje e jashtëzakonshme e shpallur në Tokio, kërkonte mbylljen e hershme të restoranteve dhe bareve, gjë që solli në uljen e konsumit të alkoolit.
Sipas të dhënave të qeverisë, në vitin 2020 të ardhurat nga taksat e pijeve ishin rreth 8.4 miliardë dollarë, një rënie prej më shumë se 813 milionë dollar nga viti paraprak. Kjo u regjistrua si rënia më e madhe në tre deada dhe një shkak për alarm të një qeverie që përballet me sfida të mëdha fiskale.
Ashtu si në shumë vende të zhvilluara ekonomikisht në mbarë botën, japonezët e rinj pinë më pak se gjeneratat e vjetra. Një studim i ministrisë së Shëndetësisë në vitin 2019 zbuloi se 29.4 për qind e njerëzve në të 20-at nuk pinë fare alkool, ndërsa 26.5 për qind thanë se pinë rrallë.
Ndërsa, shtytja e fundit joortodokse nga burokratët për të "rigjallëruar industrinë e pijeve alkoolike" është përballur me një reagim të ashpër në mediat sociale, ku asnjë prodhues i madh japonez i alkoolit nuk ka treguar publikisht mbështetje.
“Të rinjtë që nuk pinë është një gjë e mirë. Pse t'i bëni ata të varur”, ka shkruar një përdorues në Twitter duke marrë qindra pëlqime. Ndërsa një reagim tjetër ishte se: “Për sa kohë që ata mund të mbledhin taksa, shëndeti i njerëzve nuk ka rëndësi."
Konkursi i ri u kërkon pjesëmarrësve të propozojnë mënyra të reja për të nxitur shitjet e pijeve alkoolike, dhe finalistët do të ftohen në një turne në Tokio që do të mbahet në nëntor.